Stilet e ndryshme i kanë sjellë gjallëri Kupës së Botës

0

Një shumëllojshmëri e stileve të lojës të aplikuara nga 32 përfaqësueset në Kupën e Botës, plus i ashtuquajturi “efekti i Guardiolas”, ka bërë Botërorin në Rusi që të mbahet në mend, sipas një grupi të studimit teknik të FIFA-s.

Ish-seleksionuesi i Skocisë, Andy Roxburgh, një prej disa ish-trajnerëve me emër që përbën grupin, ka thënë se shtetet e caktuara prapë kanë arritur të mbajnë stilin e tyre dallues të lojës, ndonëse shumica e lojtarëve aktivizohen në klubet evropiane.

“Në Ligën e Kampionëve stinorin e kaluar, në parim ishin tri shkolla të futbollit në mesin e top-skuadrave, tri filozofi”, thotë Roxburgh.

“Në Botëror ke stile të ndryshme, shkolla të ndryshme të mendimit dhe futbollit, dhe i bënë gjërat më entuziazmuese. Po, është globalizimi dhe efektet e Ligës së Kampionëve, por të gjithë këta lojtarë janë rritur në shtetet e tyre, kështu që ata kanë mentalitetin e caktuar dhe ende sheh stile të ndryshme”.

Roxburgh po ashtu ka përgëzuar skuadrat për fleksibilitetin, duke veçuar qasjen e Belgjikës ndaj Brazilit, kur në mënyrë të guximshme hodhi një përbërje ultra-ofensive dhe fitoi 2:1.