Haskuka merr mbështetje në Kroaci për realizimin e disa projekteve në Prizren

0

Ditë më parë Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka realizuar një vizitë zyrtare në shtetin e Kroacisë.

Haskuka ishte pritur nga zyrtarë dhe krerë të lartë të shtetit kroat, me ç’rast janë dakorduar për fillimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetit mental dhe bashkëpunime tjera me rëndësi.

“Në kryeqytetin e Kroacisë, në Zagreb, patëm një takim të përbashkët me kryesuesin e asamblesë së Zagrebit dhe deputetin, Andrija Mikulic, sekretaren e asamblesë, Mirjana Lichtner Kristiç, deputetët e parlamentit të Kroacisë, Ivan Çeliq dhe Ermina Lekaj Prljaskaj, si dhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.

Në këtë takim diskutuam çështje të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin ekonomik me Komunën tonë për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit te zona e ish KFOR-it gjerman, dhe shkëmbimin e eksperiencave për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu u dakorduam për fillimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetit mental, me anë të organizatës joqeveritare kroate, Prevencija droge, ku ne si Komunë treguam gatishmërinë për të ofruar hapësirë dhe mundësi për realizimin e projekteve të ndryshme në këtë fushë.

U dakorduam për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndrërmjet qytetit tonë dhe miqve tanë kroat”, ka shkruar në profilin e tij në facebook, Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka./04online.info/