Prokurimi skandaloz gjatë vitit 2017 në Prizren

0

Paratë publike blenë shërbime pa hapur tenderë dhe projekte të shumta të nevojshme për qytetarët u shtynë për shkak të problemeve që Komuna e Prizrenit pati me prokurimin publik.

Një listë e gjërë e aktiviteteve të prokurimit u rreshtuan si problematike për Prizrenin në vitin 2017.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për këtë komunë sugjeroi që të rritet niveli i menaxhimit në prokurim dhe të ruhet paraja publike.

Prizreni vitin e kaluar kishte bërë pagesë prej 4 mijë eurosh për një shërbim për të cilin nuk kishte hapur tender publik.

“Pagesa në vlerë 4,000€, për sigurimin e automjeteve është bërë pa procedura të prokurimit, pasi që komuna nuk ka kontratë me ndonjë Operator Ekonomik (OE) për sigurimin e automjeteve. Ligji i prokurimit publik nuk i përjashton këtë lloj të shpenzimit nga procedurat”, thuhet në raport.

Ngjashën në pagesën në vlerë 10,578€ për mirëmbajtën e automjeteve, komuna ka paguar shumen prej 5,504€ për artikujt të cilat nuk janë të parashikuar në kontratë. Sipas kontratës së nënshkruar në mes komunës dhe kompanisë , në pamundësi të përfshirjes së të gjitha pjesëve të cilat janë objekt i furnizimit dhe ndërrimit, formohet një komision nga ana e komunës për furnizimin e tyre sipas çmimeve të tregut që bije në kundërshtim me nenin 1 dhe 4 të kontratës.

Auditori thotë se gjatë testimit të pagesës nuk kemi gjetur dëshmi të formimit të komisionit por vetëm faturim nga ana e OE.

Auditori ka gjetur po ashtu se kontrata e nënshkruar ne vitet e mëparshme në vlerë prej 100 mijë euro për vazhdimin e projektit për ndërtimin e rrugës “Tranziti i vjetër” nuk është zbatuar pasi ka probleme pronësore me pronarin e një shtëpie.

Ky rast ka përfunduar në procedurë gjyqësore, dhe në këtë pozicion buxhetor janë zvogëluar mjete financiaren vlerë prej 50 mijë euro.

Një problem tjetër pati tenderi për rregullimin e shtratit të Lumë-Bardhit.

“Te projekti “Rregullimi i shtratit të Lumë-bardhit” në vlerë 100,000€, komuna ka zhvilluar procedurat tenderuese, si dhe është nënshkruar kontrata, mirëpo paralelisht më ketë Drejtoria për Shërbime Publike ka bërë kërkesë në Urbanizëm për lejimin e kushteve ndërtimore (lejes së ndërtimit). Si pasojë është kërkuar nga kontraktuesi të mos të fillojë punimet derisa të sigurohet leja ndërtimore”, thuhet në raport.

Ngjashëm te projekti “Efiqenca në ndriçimin publik“ në vlerë prej 60,000€, kanë filluar procedurat në tre mujorin e fundit të vitit 2017 dhe ka pasur një ankesë në OSHP.

Përkundër vendimit të OSHP–së në favor të OE ekonomik, kjo kontratë ende nuk është nënshkruar.

Ndërsa projekti “Ndërtimi i rrugës Faradin Hoti” fillimisht ishte vlerësuar në vlerë 40,000€, mirëpo gjatë hartimit të projektit detal kostoja e këtij projekti ka dal përafërsisht 500,000€. Menaxhmenti i drejtorisë duke e analizuar këtë disporpocion në mes planifikimit buxhetor dhe kostos reale të këtij projekti ka vendosur që mos të fillohet me procedura për këtë projekt.

Po ashtu komuna nuk ka zhvilluar procedurat e prokurimit për projektet “Ndërtimi i QMF-së në fshatin Gjonaj” në vlerë 120,000€ dhe “Furnizimi me GPS për matje kadastralë” në vlerë prej 10,000€ edhe pse ishin planifikuar me planin e prokurimit.

Prizreni shkeli ligjin edhe kur lidhi kontrata publike në katër raste të evidentuara në raport.

“Në katër raste, komuna ka lidhur kontrata publike jashtë planit vjetor të prokurimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), dhe nuk janë ndjekur procedurat e rregullta për sigurimin e konfirmimit nga Autoriteti Qendror i Prokurimit për inicim të procedurave për projektet të cilat nuk janë të përfshira në planin e prokurimit publik”, thuhet në raport.

Kjo komunë kishte pranuar edhe kryerjen e punëve në gjysmë nga kompanitë të cilat i ka paguar me paratë e buxhetit komunal.

Për kontratën “Ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Legjendë-Malësi e Re” në kuadër të faturës dhe pagesës në vlerë 98,725€, ishin edhe dy pompa zhytëse në vlerë 4,000€ të cilat nuk ishin funksionalizuar ende. Ky pozicion i paraparë në kontratat, është pranuar nga menaxheri i kontratës, organi mbikëqyrës dhe çertifikuar/paguar sipas situacionit nr.4 për furnizim, transportim dhe montim të dy pompave zhytëse

“Gjatë ekzaminimit të auditorit me prezencën edhe të organit mbikëqyrës të kontraktuar nga komuna, pompat nuk ishin montuar dhe nuk funksionin ende. Arsyetimi i organit mbikëqyrës ishte se për shkak të punimeve të pa përfunduara, montimi i tyre në aspektin fizik nuk ishte i sigurt”, është komenti i auditorit.

Ndërkaq te kontrata “Furnizimi me material ndërtimor për raste emergjente” komuna ka pranuar faturën, dhe ka kryer pagesën në vlerë 4,000€ edhe pse sipas pozicioneve të materialit të faturuar nga OE, vlera e përgjithshme e pranimit të mallit ishte vetëm 2,198€ (sipas fletë pranimit).

Situacioni është nënshkruar (nga menaxheri i kontratës dhe organi mbikëqyrës përgjegjës) dhe pagesa është çertifikuar për 1,802€ më shume se sa mallrat e pranuara.

Komuna lidhi edhe kontrata pa projekte paraprake.

“Në dy procese të prokurimit “Rregullimi i ambientit turistik në Cvilen” në vlerë 16,987€ dhe “Riparimi i rrugës nga Restoranti Natyra deri tek Kalaja” në vlerë prej 6,900€, komuna kishte lidhur kontrata publike në mungesë të Projektit Ekzekutiv. Sipas nenit 28, pika 10, të LPP-së, Autoritetit Kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkangjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit”, thuhet në raport.

Ndërsa pati raste edhe kur nuk u bë zotimi i mjeteve paraprakisht siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik.

“ Sipas rregullës financiare për shpenzimin e parasë publike asnjë kontratë publike nuk duhet të nënshkruhet pa zotim të mjeteve. Në 108 raste kontratat janë nënshkruar pa zotim të mjaftueshëm të fondeve. Vlera totale e kontratave të nënshkruara ishte 3,641,742€, derisa zotimi i mjeteve për to ishte vetëm 287,000€ ose afërsisht 8%”, thuhet në raport.

Sipas zyrtarëve të komunës mos alokimi me kohë i të hyrave vetjake ka rezultuar me nënshkrim të kontratave pa zotim të plotë të mjeteve;

Furnizimi me naftë për këtë komunë ishte bërë po ashtu përmes një tenderi të dyshimtë.

“Kontrata për “Furnizim me naftë” tek kushtet veçanta thuhet që çmimi duhet të merret nga berza e lëshuar nga ana e organit të licencuar, si dhe OE është i obliguar që të siguroj berëzën mujore (shuma e gjitha berëzave ditore të pjesëtuara me numrin e ditëve të muajit paraprak). Në një rast komuna ka kryer pagesën në vlerë 1,246€ pa dëshmi se berëza e ofruar është lëshuar nga organi i licencuar”, thuhet në raport.

Në procesin e prokurimit “Furnizim me material ndërtimor për familjet skamnore” komuna kishte eliminuar nga gara OE i cili kishte ofertuar me çmimin më të lirë për arsyet se nuk kishte plotësuar dy kritere: “Projektet e ngjashme të realizuara në tri vitet e fundit minimumi 370,000€” dhe “Pasqyrat financiare të kompanisë të shoqëruar me qarkullimin financiar nga banka për tri vitet e fundit”.

“Pas ankesës së OE-së, OSHP-së ka vendosur që lënda të kthehet në rivlerësim sepse komuna ka mundur të kërkoj sqarime shtesë sipas nenit 59.2 të LPP-së. Pas vendimit të OSHP-së, komisioni për vlerësim të tenderëve kishte shpallur përsëri të papërgjegjshëm OE më të lirë (edhe pse posedonte të gjitha dëshmitë) dhe kishte nënshkruar kontratë me OE e dytë me radhë në vlerë 199,344€ ose për 6,096€ më shumë se sa OE më i lirë”, thuhet në raport.

Auditori përfundon se prej 350 procedurave të kryera në prokurim, në 220 raste apo 63% prej tyre, janë përdorur procedurat e kuotimit të çmimeve dhe atyre me vlerë minimale.

“Për “Dezinfektim, deratizim, dezinsektimin ” në QKMF, është nënshkruar një kontratë (26.04.2017) në vlerë prej 3,971€, pastaj kontrata tjetër me procedura të hapura është nënshkruar (04.05.2017) në vlerë prej 34,016€, si dhe dy kontrata me vlera minimale. Ngjashëm ka ndodhë edhe me furnizimin me material zyrtar; furnizimi me inventar; furnizim me perde, ku për furnizime të njëjta ishin nënshkruar nga tri apo më shumë kontrata me vlera minimale”, thuhet në raport.