Rifunksionalizohet edhe një park në Prizren…

0

Mungesa e parqeve në Komunën e Prizrenit ndër vite është vlerësuar si një shqetësim, ndërsa tendencat e betonizimit të hapësirave publike janë parë me sy kritikë por pa mundësi reale të ndalimit të tyre.

Për nderë të ditës së tokës Komuna e Prizrenit ka realizuar shumë aktivitete për pastrimin e hapësirave publike nga mbeturinat e ngurta, e poashtu duke intervenuar në ato hapësira ku mund të rikthehen parqet, shkruan 04 Online. Një i tillë është rikthyer në Bazhdarhane falë bashkimit të forcave të Komunës së Prizrenit, nxënës të SHFMU “Lekë Dukagjini”, Njësitit të Zjarrëfikësve, Policisë së Kosovës, Kryqit të Kuq, The Cambridge School, OJQ’ve me karakter mjedisore, kompanive shërbyese dhe banorëve të lagjes.

“Me pastrimin e mbeturinave, largimin e veturave, hapjen e trotuarit dhe mbjelljen e tokës, banorëve të lagjes “Bazhdarhana” ua rikthyem parkun.

Gjatë përurimit, përfaqësuesit të kësaj lagjeje ia dhuruam pajisjet e nevojshme për mirëmbajtjen e parkut. Nëpërmjet angazhimit të qytetarëve për mirëmbajtje të mjedisit, Komuna synon ngritjen e përgjegjësisë për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta.

Në këtë aktivitet, që u mbajt në kuadër të Ditës së Tokës, morën pjesë: nxënësit e shkollës “Lekë Dukagjini”, njësiti i zjarrfikësve, Policia e Kosovës, Kryqi i Kuq, The Cambridge School, OJQ-të të cilat merren me veprimtari mjedisore, kompanitë shërbyese, banorët e lagjes si dhe grupi i asamblistëve të rinj të Prizrenit.

Së bashku mund ta krijojmë një Prizren që ka mjedise të pastërta dhe të gjelbëruara”, ka shkruar në facebook Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka./04online.info/