Haskuka: E kemi rastin ta depolitizojmë arsimin në Prizren, të mos e humbasim këtë rast…

0

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, duket të jetë shumë i vendosur që ta ‘çlirojë’ nga duart e politikës arsimin në Prizren.

Haskuka ka reaguar për këtë problematikë duke vlerësuar se përzgjedhja e drejtorëve të shkollave në bazë të kritereve joprofesionale, ka qenë shkaktari i drejtëpërdrejtë i degradimit social dhe ekonim i vendit në të kaluarën shkruan 04 Online. Madje, ai vlerëson se me përzgjedhjen e drejtorëve dhe mësimdhënësve me kritere partiake ne do të krijojmë shkolla të dobëta dhe shtet të dobët, andaj ka shprehur zotimin e tij se arsimit në Prizren do t’i kthehet fytyra e vërtetë dhe e merituar.

“Politizimi i shkollave, duke i përzgjedhur drejtorët e mësimdhënësit e “dëgjueshëm” dhe jo sipas kritereve profesionale, ka qenë shkaktari i drejpërdrejtë i degradimit social dhe ekonomik i vendit. Shkollat e dobëta krijojnë shtete të dobëta.
Prandaj, depolitizimi i sistemit arsimor është proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për ngritjen e cilësisë së shkollave tona, rrjedhimisht edhe për zhvillimin e Komunës sonë. Për ta arritur këtë synim, për herë të parë në Komunën tonë kemi krijuar udhëzuesin për përzgjedhjen e drejtorëve, i cili ka për qëllim të tregojë hapat që i ka ndërmarë Drejtoria Komunale e Arsimit, në mënyrë që të kemi drejtorë profesionalë në shkollat tona.
Për ta siguruar transparencën e gjithë procesit në përzgjedhjen e kandidatëve për vlerësim/intervistim nga komisioni përzgjedhës, DKA do t’i ftojë si vëzhgues përfaqësuesit e Këshillit Drejtues të shkollës, dy përfaqësues të Komisionit për Arsim të Kuvendit Komunal dhe nga një përfaqësues të dy organizatave të shoqërisë civile të cilat merren me tema nga fusha e edukimit.

Ju ftoj të aplikoni për 18 pozita për drejtorë dhe 3 pozita për zëvendësdrejtorë shkollash në vegzën: https://kk.rks-gov.net/prizren/wp-content/uploads/sites/26/2018/04/Konkurset-2018-shqip-1.pdf“, ka shkruar në facebook Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka./04online.info/