Njihuni me rezultatet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në 100 ditë qeverisje…

0

Shërbimet Publike Komunale janë nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Shërbimeve Publike pranë Komunës së Prizrenit, dikaster i cili udhëhiqet nga Levent Kasëmi.

Drejtoria e Kasëmit brenda 100 ditëve ka bërë përpjekje që qyetarëve të Prizrenit t’i ofrojë shërbime sa më cilësore dhe në kohë reale, duke bërë përpjekje që të eliminohen të gjitha vështirësitë. Një sukses i kësaj drejtorie që ja vlen të specifikohet, është pikërisht mirëmbajtja e rrugëve në tërë Komunën e Prizrenit gjatë stinës së dimrit, me ç’rast është vërejtur një mobilizim i jashtëzakonshëm i kësaj drejtorie dhe akterëve tjerë bashkëpunues, duke i mundësuar qytetarëve të Prizrenit lëvizje pa probleme në kohë dimri.
Për të arriturat tjera të kësaj drejtorie ju ftojmë të lexoni pjesë nga raporti i 100 ditëshit.

“– Hapësirat publike për qytetin janë sikur dhomat e ndejës për shtëpitë. Sa më të pastra dhe të rregulluara të jenë hapësirat publike të qytetit, aq më i këndshëm do të jetë qëndrimi në to.
Prandaj Komuna ka organizuar javën ekologjike “Pastro përtej pragut”, që për qëllim ka pastrimin e qytetit dhe rritjen e vetëdijesimit për një Prizren të pastër e të gjelbër.
– Në shtigjet e Maleve të Sharrit janë parë shumë mbeturina, prandaj është bërë pastrimi i shtegut më të preferuar të malësorëve, nga Shtëpia Malore deri në fshatin Struzhë. Aksioni u realizua nga Ekoregjioni dhe DSHP-ja, me qëllim të largimit të mbetjeve të ngurta.
– Gjatë tre muajve të kaluar, Komuna ka pastruar 405 tonë mbeturina të ngurta me prejardhje të ndryshme. Largimi i 405 tonë mbeturinave është sasi e madhe dhe impresive si shërbim, por kjo sasi nuk është as 1% e mbeturinave që janë hedhur gjithandej Komunës sonë.
– Prizreni ka shumë pika të zeza të ndotjes me mbeturina të ngurta. Largimi i mbeturinave, pos që i jep pamje më të mirë qytetit, ndikon edhe në shëndetin e qytetarëve. Drejtoria e Shërbimeve Publike ka bërë pastrimin e rrugëve nga mbeturinat e ngurta. Janë bërë pastrime te hapësirat e gjelbra, rreth rrugëve në hyrje të qytetit, në magjistralen Prizren-Reçan dhe në hyrje nga autostrada në transitin e vjetër. Gjithsesi aksioni i pastrimit do të vijojë gjatë tërë vitit.
– Kontejnerët e vjetër, që kanë shërbyer për grumbullimin e mbeturinave nëpër lagje të urbanizuara, janë amortizuar, prandaj të gjithat i kemi i ndërruar me kontejnerë të rinj (gjithsej 120 copë). Plani është zvogëlimi i kontejnerëve deri në atë masë, sa secila banesë ta ketë kontejnerin e vet, si dhe projektimi i një zgjidhjeje të veçantë për veprimtaritë hoteliere dhe ushqimore, të cilat gjatë ditës krijojnë sasi enorme të mbeturinave.
– Komuna organizoi aktivitet vullnetar me nxënës të të gjitha shkollave fillore për pastrimin e hapësirave publike dhe të shkollave, si dhe organizoi orë mësimore kushtuar pastërtisë.
– Punëtorët shëndetësorë të QKMF-ve kanë bërë pastrimin e ambienteve përreth institucioneve shëndetësore. Të angazhuar kanë qenë stafi mjekësor së bashku me drejtoreshën e shëndetësisë.
– Takim me përfaqësuesit e ambasadës së Suedisë, të prirë nga z. Anders Ëallter dhe zyrtarët e qendrës “Olof Palme”, të cilët shprehën gatishmërinë e Qeverisë suedeze për asistencë Komunës sonë për riciklim të mbeturinave.
– Drejtoria e Shërbimeve Publike ka filluar me mbjelljen e fidanëve të rinj dhe me zëvendësimin e atyre të prishura. Deri më tani janë mbjellë rreth 550 fidanë të rinj. Nëpërmjet drurëve dekorohen hapësirat publike, pastrohet ajri, rritet cilësia e jetës dhe qytetit i kthehet identiteti. Prandaj, Komuna e ka zgjeruar planin në hapjen e vend mbjelljeve të reja të drurëve në hapësirat publike.
– Shpati i malit mbi lagjen Varosh, me vite të tëra ka qenë “pika e zezë”, më e madhe me ndotje në Qendrën Historike të qytetit. Përveç ndotjes së ambientit, kjo pamje e ka shëmtuar imazhin e lagjeve të bukura rreth Kalasë së Prizrenit. Pjesa e shpatit është pastruar, ndërsa në Ditën e Planetit, së bashku me organizatat joqeveritare, kjo pikë do të pyllëzohet.
– Lumi është hapësira kryesore publike në Prizren, i cili fatkeqësisht, për shkak të ndotjes, e ka humbur ekosistemin e vet dhe bukurinë. Organizata joqeveritare “BunarFest”, me mbështetje të Komunës, ka bërë pastrimin e lumit në zonën e qytetit në gjatësi prej 250 metra. Ky aksion mbulon vetëm 10% të gjatësisë së lumit që kalon nëpër qytet, prandaj Komuna planifikon pastrimin e rregullt të Lumbardhit.
– Përgatitje për organizimin e Ditës Botërore të Planetit, ku planifikohen mbjellje të fidanëve të rinj gjithandej Komunës.
– Shtegu prej Marashi deri në Kala është hapësira më e madhe publike e mbetur që frekuentohet nga qytetarë të shumtë. Është duke u projektuar mbjellja me drurë frutorë nëpër shtegun e këmbësorëve. Ideja e drurëve frutorë është t’i joshë kalimtarët me pamje dhe fruta si dhe shtegut t’i japë karakter identifikues.
– Komuna është duke punuar në një projekt ambicioz për krijimin e 10.000 metrave katrorë hapësirë të re publike në qendër të qytetit.

– Ndriçimi publik është brengë e madhe e qytetarëve. Mungesa e ndriçimit nëpër lagjet e qytetit dhe të fshatrave, i bën hapësirat publike të pasigurta për qytetarët. Prandaj, Komuna përveç renovimeve të ndryshme të sistemit të ndriçimit publik dhe ndërrimit të poçeve të dëmtuara, mirëmbajtjes dhe ndërrimit të regjimit të punës në disa udhëkryqe me semaforë, po i realizon edhe kërkesat e qytetarëve për renovim të ndriçimit publik. Prej punëve që janë bërë për ndriçim janë:
– në rrugën “Turgut Ozal” dhe “Kont Urani”- është instaluar ndriçimi i ri publik, inteligjent, me menaxhim nga distanca.
– në fshatin Atmaxhë e Re është instaluar ndriçim i ri publik.
– në fshatin Korishë është bartur sistemi i ndriçimit publik nga shtyllat e drurit në shtylla të betonit.
– janë aftësuar ndriçimet publike në parqe dhe në sheshet: “Mbretëresha Teutë”, “Namazgjah”, Ortakoll si dhe në rrugën “De Rada”.
– Janë instaluar 7 kamera të sigurisë për vrojtim të hapësirave publike në hyrje të Prizrenit dhe në Lubizhdë.
– Shërbimet e pastrimit të rrugëve gjatë ditëve me të reshura dëbore kanë qenë më efikas se kurrë më parë. Rrugët kryesore që janë nën mbikëqyrje të Komunës janë pastruar nga tri kompani të kontraktuara në afat rekord prej 24 orësh, gjithandej Komunës së Prizrenit.
– Pas shkrirjes së borës dhe nga kripa e hedhur, rrugët e asfaltuara zakonisht dëmtohen. Komuna nëpërmjet kompanive të kontraktuara ka bërë sanimin e këtyre dëmtimeve.
– Pas të reshurave të shumta dhe nga shkrirja e shpejtë e borës, ka pasur rrëshqitje të dheut në disa rrugë të Komunës sonë. Komuna ka intervenuar në hapjen e rrugëve për në: Llokvicë, Struzhë, Lubiqevë, Billushë dhe në Lubinjë, duke e normalizuar aktivitetin e qytetarëve tanë në këto lokalitete.
– Punimet e tej zgjatura në rregullimin e infrastrukturës rrugore në “Jeni Mahallë” e kanë çrregulluar jetën e banorëve dhe të afaristëve të kësaj lagjeje. Komuna ka inspektuar punimet dhe fillimisht është dakorduar me punëkryesin që ta përfundojë shtrimin e shtresës së zhavorrit për 20 ditë pune. Përkundër presionit, kompania në fjalë ende nuk i ka kryer punimet në këtë rrugë, gjë që Komunës ia mundëson shkëputjen e kontratës për shkak të shkeljeve të planit dinamik të punimeve. Si vendim përfundimtar, në bisedë me banorët e lagjes, është vendosur të mos
shkëputet kontrata, pasi që hapja e tenderit të ri do t’i vononte punimet edhe për disa muaj. Prandaj është vendosur që të vazhdohet me punime në këtë rrugë nën mbikëqyrje të Komunës”, thuhet në raportin e 100 ditëshit të qeverisjes lokale të udhëhequr nga Mytaher Haskuka./04online.info/