S`ka buxhet për rregullimin e defekteve në pullazin e gjimnazit “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe

0

Mësimdhënës të caktuar të gjimnazit “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe të Rahovecit ende kujtojnë zotimet e dhëna para afro një dekade nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, për modernizimin e hapësirave shkollore dhe digjitalizimin e procesit edukativo-mësimor. Mirëpo, këto premtime, sipas tyre, nuk janë jetësuar ende në tërësi.

Madje kanë hatërmbetje për mospajisjen e shkollës dhe mësimdhënësve me kompjuterë nga ana e MASHT-it, shkruan sot “Koha Ditore”. Në të njëjtën kohë përmendin edhe problemin e depërtimit të ujit nga reshjet për shkak të defektit në kulmin e objektit, të ndërtuar 10 vjet më parë. Ndërkohë udhëheqja e shkollës konfirmon problemin me gjendjen teknike të pullazit të ndërtesës, por thekson se ky institucion arsimor ka marrë kabinet të informatikës si donacion nga shoqatat e ndryshme. Njëherësh drejtoria e shkollës ka pohuar se projekti për rregullimin e defektit në pullaz është në proces për t’u zgjidhur, derisa zyrtarët nga Drejtoria e Arsimit kanë pohuar se duhet të pritet rishikimi i buxhetit për sigurimin eventual të mjeteve financiare për këtë intervenim.