Alarm në Beograd, ish-kapiteni i Serbisë në fanellën e përfaqësueses së Kosovës…

0

Ish-anëtari i të gjitha përzgjedhjeve të të rinjve të përfaqësueses së Serbisë në futboll, Arton Zekaj së shpejti do të mundë të veshë fanellën e shtetit, siç e quan “Blici” i Beogradit, të rremë të Kosovës.

Ish-juniori i Partizanit dhe kapiteni i përfaqësueseve të rinjve të Serbisë ka marrë ofertë nga Fadil Vokrri, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, që të luajë për ekipin kombëtar të tij, transmeton Koha.net përcjell 04 Online. “Ftesa ka mbërri, por duhet të mendoj mirë para se të vendosi. Ende s’kam vendosur”, i ka thënë Zekaj, 18 vjeç, gazetës “Blic” të Beogradit. I pyetur nëse ka frikë nga reagimet në Serbi, vendit ku ka lindur, Artoni është përgjigjur: “Jo, nuk ma thotë mendja të kem probleme. Kjo varet nga shumë rrethana, unë jam i lindur në Sombor, kam pasaportë serbe, kam luajtur për Partizanin dhe kategoritë e reja të Serbisë, dhe kam qenë kapiten i tyre. Ta dini, sikur të dija se në të ardhmen do të kem ftesë për përfaqësuesen tonë A, do të mbetesha me fanellën e ‘orlica’”, citon gazeta Artonin. Aktualisht Zekaj është anëtar i “Sopotit” dhe lojtari më i mirë ligës së tretë të Serbisë. “Ne kemi treguar interesim të madh që anëtari i përfaqësueses së të rinjve të Serbisë të paraqitet në përfaqësuesen e Kosovës. I njohim mirë cilësitë e tij dhe shpresojmë se në fund çdo gjë do të dalë mirë. Ai në fund vendos vetë, pastaj si për të gjithë lojtarët pason procedura e lidhur me kërkesën FIFA-s dhe shpresojmë për leje përfundimtare. Shpresoj të mos ketë kurrfarë problemesh, ai është me origjinë nga Kosova, ndërsa ardhja e tij do të ishte shumë e rëndësishme për ne”, i ka thënë TV Kosova 2 (në gjuhën serbe) kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, transmeton Koha.net përcjell 04 Online. Zekaj luan në pozitën e mesfushorit.