Të vetmuar luten për një çati, ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ plotëson ëndrrën e të moshuarve

0

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” u rikthye në Gramsh drejt një fshati të largët të tij mes maleve. Rruga ishte e vështire dhe e gjatë. Për vetëm 15 kilometra rrugë udhëtuam 2 orë më makinë. Fshati Snosem lëngon nga braktisja masive. Skamja këtu mbretëron kudo. Para viteve 90’ në fshat numëroheshin mbi 120 shtëpi, sot janë 45. Banorët ikën nga mungesa e infrastrukturës. Emigruan jashtë për nje jete më të mirë. U ndalëm në këtë fshat për një histori, që brenda ka dhimbje e lot. U ndalëm për ata mbeturit që mes vuajtjes dhe mjerimit na thirrën mes maleve për të dëgjuar historinë e tyre.
Pleqtë e vetmuar dhe të sëmurë më sytë nga dera…Ajo pret, gjithmonë pret mbi këto gurë, pret, ashtu kot, edhe pse e di që askush nuk do t’i vijë. “ ça të bësh mërzitesh këtu” thotë e moshuara. Këtu banon Majore Abazi, 76 vjeç dhe Faiku 84. Të vetmuar, të sëmurë, e të braktisur nga fati, në këtë shtëpi të shkatërruar, kjo panoramë të rrënqeth. 76 vjeçarja e merr mbi shpinë burrin e saj të paralizuar. Çdo ditë kështu është për ta. “Më mirë mos të rroja fare, ç’e dua veten unë? Kur më merr në krahë një njeri tjetër” thotë Faiku.
Mes mureve të rrënuara, nata është e vështirë e shpesh edhe e frikshme. “Lëvizte tavani është kalbur nga shiu” Rrudhat mbi ballë dhe lotët e saj flasin më shumë se fjalët. “U thyen trarët, ra një faqe e murit, dritat u prenë, me qiri e shtyjmë, me zjarr” thotë Majorja. Ndoshta jeta u tregua e padrejtë, ndoshta kështu është pleqëria, Majorja këtë nuk arrin ta ndajë dot. Fuqitë u kanë shteruar,vitet kanë bërë të tyren e barra e jetës për ta paskësh qenë tepër e rëndë.Ajo kërkon një derë që ta mbyllë, e një dritare që ta hapë, atëherë kur duhet. “Doja një derë, një çati asgjë tjetër nuk dua”shprehet e moshuara. Dalëngadalë fshati po braktiset, por Majore e Faik Abazi, qëndrojnë aty, si dy monumente të fundit të kujtesës, aty ku fati i lidhi vite më parë, kur ishin të rinj, aty ku dhe duan ta mbyllin jetën.
Majore Abazi, 76 vjeç dhe Faiku 84. Të vetmuar, të sëmurë, e të braktisur nga fati, jetonin prej vitesh shtëpinë e shkatërruar, pa derë, pa dritare e me një çati të rënuar. Dëshira e gruas ishte të kishte nje kulm mbi kokë. Puna për rregullimin e banesës nisi. Tashmë ajo është transformuar në një banesë të këndshme me dyer e dritare. Është suvatuar dhe ka mobilje të reja. “Shumë faleminderit, jam shumë e kënaqur. Jam shumë mirë tani, i falenderoj gjithë ata njerëz që na kanë ndihmuar e kanë vendosur dorën në zemër. Falenderoj shqiptarët për shqiptarët që na i bënë këtë shtëpi të re. Po na ndrit syri se ishim në errësirë. Tani kemi edhe drita” thotë Majorja