Shënohet Dita e Tokës edhe në Prizren me aktivitete sensibilizuese…

0

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Tokës, në Prizren është mbajtur një aktivitet ku është bërë një xhiro me biçikleta nëpër qytet me moton “ Stop automjeteve”.

Dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme, duke bërë xhiro me biçikleta nëpër rrugët kryesore të qytetit në gjatësi prej 15 kilometrave, kanë qenë pjesëmarrës të aktivitetit kryesor në shënimin e 22 Prillit, Ditës Botërore të Tokës, në organizim të Lidhjes së Vëzhguesve të Republikës së Kosovës dhe drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të komunës së Prizrenit.

Organizatorët u shprehen të lumtur me mbarëvajtjen e aktivitetit, ku u kërkua më shumë shtigje për biçiklistë dhe më pak prani të automjeteve, pasi që këto të fundit janë ndër ndotëset më të mëdha të ambientit.

Pjesëmarrësit e kësaj ngjarje, Ilijaz Ilijazi, Nadire Zogiani, Bert Tamnik, dhe Enisa Morina, thanë se edhe pse ndjeheshin të lodhur, ishin të lumtur që përmes këtij aktiviteti përçuan mesazh tek qytetarët dhe institucionet në këtë ngjarje kushtuar Ditës së Tokës.

Pas aktivitetit, është organizuar edhe një lojë shpërblyese për pjesëmarrësit, disa nga të cilët u shpërblyen me dhurata të çmueshme. Vlen të përmendet se kontribut të madh në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti ka dhënë edhe Policia e Kosovës, raporton Televizioni i Prizrenit përcjell 04 Online.