Sfida për titullin, Juve ‘treni i fundit’ për Napolin

0

Java e 34 e Serisë A do të vijojë sot me 6 takime, teksa do të kulmojë me supersfidën e mbrëmjes, Juventus Napoli. Kjo sfidë është mjaft e rëndësishme në rrugën për titullin kampion, pasi dy pretendentët, do të përballen me njëri-tjetrin, për të përcaktuar se kush do të jetë më pranë titullit kampion.

Juventusi vjen pas hapit fals ndaj Crotones dhe pavarësisht se ka 4 pikë avantazh ndaj Napolit, do të synojë fitoren sot, për të mbyllur llogaritë me titullin.

Bardhezinjtë kanë një short më të komplikuar në 4 javët pas ndeshjes me Napolin, pasi do të përballen me Interin dhe Romën, dy skuadra ndaj të cilave mund të lërë pikë, ndaj Allegri kërkon që llogaritë me titullin të mbyllen sot. Një fitore e Juventusit, do ta çonte në 7 pikë distancën mes dy skuadrave dhe bardhezinjtë do të preknin titullin e 7 radhazi.

Nga ana tjetër, skuadra e Sarrit, që hoqi dorë nga çdo kompeticion tjetër, për të synuar titullin, sot ka mundësinë e fundit për të mbajtur shpresat gjallë. Napolitanët e dinë mirë se rezultati i vetëm që ju duhet sot, është fitorja, ndaj edhe vijnë në këtë takim super të motivuar, pasi objektivi është që të rikthehet në qytet titulli që mungon prej vitesh.

Të dy skuadrat vijnë me formacione të plota në këtë takim dhe në ‘Allianz Stadium’, spektakli do të jetë i garantuar, teksa ky takim shikohet edhe si një vitrinë për futbollin italian, që vitet e fundit e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Ndeshja do të startojë në orën 20:45 dhe do të transmetohet live në Supersport 2.

Më herët, në orën 12:30 Cagliari do të presë në Sardegna, Bolognën, ndërsa në orën 15:00 spikatin sfidat Lazio-Sampdoria dhe Atalanta-Torino. Një ndeshje mjaft të rëndësishme luan edhe Interi, që do të udhëtojë drejt Veronës, për t’u përballur me Chievon. Zikaltrit synojnë rikthimin në Champions dhe e kanë të qartë, që për ta bërë këtë, nga ‘Bentegodi’ duhet të dalin vetëm me 3 pikët e plota.