Anglia po e kthen primatin në “Champions”

0

Me politikën britanike ende të ngulfatur në kaosin e Brexitit, së paku skuadrat angleze të futbollit janë duke ofruar qartësinë aq të nevojshme sa i përket qëndrimit të tyre në Evropë.

Për herë të parë në dhjetë vjet, katër skuadra angleze kanë arritur në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, që është gara elitare e klubeve në Evropë, transmeton Koha Ditore.

Liverpooli me fitoren 3:1 në udhëtim ndaj gjigantit gjerman Bayern Muenchen të mërkurën mbrëma, ka kompletuar katërshen angleze. Fitorja e Liverpooolit erdhi vetëm një natë pasi që Manchester City e shkatërroi skuadrën tjetër gjermane Schalke me shifrat 7:0 dhe me rezultat të përgjithshëm 10:2.

Tottenhami javën e kaluar siguroi kualifikimin në çerekfinale duke triumfuar 4:0 pas dy ndeshjeve ndaj skuadrës gjermane Borussia Dortmund, ndërkohë Manchester Unitedi me një fitore dramatike 3:1 si mysafir i Paris Saint-Germainit është kthyer në çerekfinale për herë të parë në pesë vjet.

Asnjë skuadër angleze nuk e ka fituar titullin e Ligës së Kampionëve që nga viti 2012, kur Chelesa e kishte bërë këtë duke e mposhtur Bayernin në finalen e luajtur në Mynih.