Albin, reflekto dhe respekto shumicën parlamentare!

0
508

Për të qartësuar situatën bllokuese të krijuar pas shkarkimit të ‘Qeverisë Kurti’, lexuesve po ua sjell deklaratën e Albin Kurtit dhënë mediave më 10 tetor 2014, pas situatës bllokuese në kuvend, kur PDK-ja kërkonte shkuarjen në zgjedhje të reja; “PDK  është pakicë parlamentare dhe opozitë e re në kuvend, Kosova ka nevojë për qeveri të re dhe ajo qeveri e re duhet të themelohet nga shumica parlamentare në Kuvend. Ne LVV-ja e duam demokracinë në qënder, e qëndra në republikën parlamentare është Kuvendi. Republika e Kosovës që është bërë republikë e pakicës (PDK-së), duhet të bëhet republikë e shumicës. Pushteti aktual i PDK-së është pushtet ilegal dhe ilegjitim. Zgjedhjet që po i kërkon PDK-ja, ligjerisht, legalisht dhe juridikisht nuk janë të mundshme. Ne nuk shohim mundësi tjetër për dalje nga kriza përveqse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si organi më i lartë legjislativ e politik në Republikën e Kosovës që është republikë parlamentare”.

Lakmia (nuk) i prishë burrat

Tani pas shkarkimit të ‘Qeverisë Kurti” (më 25 mars 2020), gjegjësisht pas krijimit të shumicës së re parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës është krijuar përafërsisht e njëjta situatë politike.

LVV-ja si fituese e zgjedhjeve me 26,27 % të votave është kthyer në pakicë parlamentare, ashtu siq ishte kthyer PDK-ja në vitin 2014 si fituese e zgjedhjeve me 30,38 %  të votave të qytetarëve, siq i referohet situatës bllokuese Albin Kurti (10 tetor 2014).

Parashtrohet pyetja, çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë!? Përgjigja është asgjë!
Republika e Kosovës, sikurse atëherë, edhe sot është republikë parlamentare.
Sikurse asokohe që PDK-ja kishte mbetë pakicë parlamentare, edhe LVV-ja sot është pakicë parlamentare.

Nëse atëherë (sipas Kurtit) zgjedhjet paskan qenë ligjerisht, legalisht dhe juridikisht të pamundshme, pse tani Kurti insiston për zgjedhje në kohë pandemie në mënyrë të jashtëligjshme!?

Thirrjet e mëhershme (2014) të Albin Kurtit për respektim të shumicës parlamentare, duhet të vlejnë edhe sot dhe kurdoherë, derisa Kosova ta ketë njëjtin sistem qeverisës.

Nëse Albin Kurti i është referuar republikës parlamentare, gjegjësisht shumicës parlamentare në vitin 2014 për tejkalimin e krizës, duhet t’i referohet dhe respektoj edhe sot kur e ka humbur pushtetin në mënyrë legjitime në Kuvend.

Pavarësisht mënyrës komplotiste të rrëzimit, shkarkimi i qeverisë në Kuvend ishte i ligjshëm dhe në përputhje me rregullat parlamentare. Prandaj Albin Kurti duhet ta merrë me qetësi largimin nga pushteti, duke i nxjerrë mësimet e duhura nga kjo rënje. Ngritjen duhet ta bëjë në mënyrë demokratike dhe civilizuese siq e bëjnë të gjithë liderët partiak në vendet e zhvilluara, e jo përmes rrugëve antiligjore, përmes protestave dhe trazirave në kohë pandemie.

Organi më i lartë ligjvënës në Republikën e Kosovës është Kuvendi deri në (vet) shpërbërje dhe e ka legjitimitetin e plotë, pavarësisht rikompzimit të grupeve parlamentare.

Në situatën e tanishme, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, e ka vetëm një rrugë ligjore, e ajo është krijimi i shumicës parlamentare për formimin e qeverisë me mandatar të ri ose t’i lëshojë rrugë shumicës parlamentare në Kuvend.

Çdo tendencë për anashkalim të Kuvendit është shkelje dhe dhunim i demokracisë dhe rendit kushtetues në vendin tonë!

Shkruan: Florim ZEQA

Leave a Reply