Abrashi: Kurti kurrë s’ka sajuar gjëra, ka pasur kërcënime ndaj tij

0
177

Deputeti Artan Abrashi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kurrë nuk ka sajuar gjëra, duke shtuar se ka pasur kërcënime ndaj tij.

Kështu deklaroi ai pasi është pyetur se a ka pasur atentat ndaj kryeministrit, siç u raportua.

“Nuk ka ndonjë arsye që kryeministri i Kosovës të sajojë gjëra të tilla që lidhen me atentate, ku është ideja dhe ku është dobia e këtyre temave, nuk e kuptoj pse ai duhet të sajojë, kurrë nuk e ka bërë një gjë të tillë. A ka pasur kërcënime? Po, edhe më herët. Këto kërcënime nuk është se nuk janë bërë në Kosovë apo jashtë Kosovës edhe ndaj zyrtarëve të tjerë shtetërorë. Është shumë e rëndësishme që mekanizmat e sigurisë që merren me këto punë të merren seriozisht me këto. Nuk është diçka e pamundur, në Ballkanin Perëndimor nuk është që nuk ka ndodhur më herët”, tha Abrashi.

Ndryshe, Kurti ka thënë se pa shumë forca policore gjatë vizitës në Shkup, ndërsa televizioni publik në Kosovë raportoi paraprakisht se masat e rrepta të sigurisë u ndërmorën pas informacioneve se po planifikohej një atentat ndaj tij.

Kurti nuk e mohoi se ka pasur përpjekje për atentat, por tha se ka vazhdimisht kërcënime nga Beogradi, teksa theksoi se nuk ndihet i rrezikuar.

“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here