Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me procesin e dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë për të cilën është propozuar Blerim Isufaj, ka thënë me bindje të plotë se do të kthehet “në pikën zero”
Albulena Haxhiu përmes një konference për media ka deklaruar se Blerim Isufaj nuk do të jetë Kryeprokuror i Shtetit.
Ministrja është e bindur se procesi nuk do të marrë kahjen e dëshiruar nga KPK-ja, të cilin institucion ajo e ka akuzuar për veprime pa bazë kushtetuese dhe ligjore.
Por sa është e mundur dhe a mund të kthehet nga pika zero çështja e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, që tani më është bërë edhe politike?
Sipas avokatit Taulant Hodaj, presidentja Vjosa Osmani me mos dekretimin e kryeprokurorit të ri e ka shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese dhe se ka të drejtë të refuzojë nëse e vlerëson se emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me ligjin.
“Këshilli Prokurorial (KPK) në Kosovë ka pavarësinë e vet organizative por natyrisht edhe pavarësi në vendimmarrje. Kështu, Këshilli Prokurorial i mbrojtur me ligj (pasi kushtetuta përcakton që KPK rregullohet me ligj) ka siguruar pavarësinë e vet nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Megjithatë, kushtetuta jonë parasheh balance ndërmjet pushteteve dhe njeh parim të “checks and balances” që duhet respektuar. Të gjitha pushtetet janë të pavarura por njëkohësisht veprojnë në koordinim apo në balance me njëra-tjetrën. Kështu, gjykatat janë të pavarura në vendimmarrje por organizimi i tyre i brendshëm dhe planifikimi i politikave varet nga buxheti që propozon qeveria dhe e miraton Kuvendi”, sqaron Hodaj për gazetën online Reporteri.net.

“Ngjashëm, në rastin e emërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, përveç që procesi është në duart e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, dhe KGJK në kuptim të organizimit dhe të përzgjedhjes në bazë të nevojave të brendshme, prokuroret dhe gjyqtarët e zgjedhur duhen dekretuar nga Presidentja. Ky rol nuk është vetëm ceremonial, pasi që Presidenti/ja mund te kundërshtojë emërimet e caktuara. Për ti shmangur ndërhyrjen direkte të Presidentit në vendimmarrje (e kështu edhe politikës), ligji ka përcaktuar që presidenti ka 60 ditë për të arsyetuar në mënyrë të thukte vendimin për mosdekretim. Mirëpo, këtu prevalon pavarësia e gjyqësorit në tërësi pasi që i mbetet KPK-së përkatesisht KGJK-së që, edhe përtej arsyetimit të presidentes, të vendosin përfundimisht lidhur me emërimin dhe përsëri presidentit t’i propozojnë emërimin e njëjtë”, shton avokati Hodaj.
“Kjo edhe është e kuptueshme. Këshilli Prokoroial dhe Këshilli Gjygjësor si organe menaxheriale që koordinojnë dhe rregullojnë sistemin prokurorial, përkatësisht atë gjyqësor, duhet të vendosin lidhur me nevojat e sistemit dhe kështu të kenë edhe fjalën përfundimtare në emërim. Në rastin konkret Presidentja ka shfrytëzuar te drejtat e veta kushtetuese dhe ligjore kur ka refuzuar emërimin e kryeprokurorit të shtetit”, ka thënë Hodaj për Reporteri.net.
Nga ana tjetër, Avokati Arbër Jashari, për Gazetën Reporteri, ka deklaruar se nuk ka gatishmëri nga institucionet kompetente që ky proces të rikthehet nga fillimi.
“Kthim ne piken zero, do të thotë që procesi për zgjedhjen kryeprokuror të shtetit të fillojë nga konkursi. Kjo është një çështje qe nuk varet nga ministria e Drejtësisë, pasi që sipas ligjit, emërimin e Kryeprokurorit e bënë Këshilli Prokurorial”.
“Deri më tani nuk kemi parë gatishmëri nga këta te fundit, për një proces të ri. Për më tepër, ditë më parë, KPK e ka proceduar në Presidencë sërish emrin e Blerim Isufajt për dekretim. Ajo që është shumë e sigurt, Kosova nuk do të ketë Kryeprokuror të zgjedhur edhe një kohë të gjatë”, ka deklaruar ai për gazetën online Reporteri.net.

Më 1 nëntor, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dorëzuar për dekretim të Presidentja Osmani, për të dytën herë, emrin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufajt, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Blerim Isufaj ishte votuar vitin e kaluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro. Emri i tij ishte propozuar që nga 16 prilli 2022, por që dekretimi i Isufajt kishte ngecur në zyrën e Presidentes Osmani.
Komisioni Evropian ka publikuar të mërkurën Raportin për Kosovën për vitin 2023, ku vlerësohet edhe fusha e drejtësisë dhe sigurisë në vend. Në bazë të këtij Raporti, Kosova konsiderohet të jetë në fazat e hershme, me një nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.
Sipas Raportit të Progresit, Kosova ka bërë përpjekje në historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit, por në përgjithësi korrupsioni mbetet të jetë një çështje shqetësuese.
Sa i përket kornizës ligjore, në Raport thuhet se Kosova miratoi legjislacionin e ri kundër korrupsionit, ku përfshihen: Kodi për Procedurën Penale, Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ligji për deklarimin e pasurisë.
Megjithatë, Raporti thekson se mbetet shumë për të bërë, për të zbatuar këtë legjislacion kundër korrupsionit të miratuar së fundmi, duke përfshirë Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin për deklarimin e pasurisë, Ligjin për financimin e subjekteve politike, Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.
Përderisa, thuhet se edhe korniza ligjore për konfiskimin penal, duke përfshirë Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit është mjaft e avancuar, ligji mbetet kryesisht i pazbatuar dhe vlera e aseteve të konfiskuara përfundimisht mbetet e ulët.
Ndërsa, Raporti thekson se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon të prezentojë një sistem të konfiskimit pa dënim penal, është në pritje në Gjykatën Kushtetuese. /Reporteri