A do të bjerë Vuçiqi?

0

Edhe përkundër protestave çdo të shtunë në Beograd nga fillimi i dhjetroit, duket se mundësitë janë të vogla tash për tash që “të bjerë Qeveria” e kryetarit të Serbisë Aleksandar Vucic, shkruan gazeta franceze “La Croix”, transmeton Gazeta Metro.

Eksperti për Ballkanin, Zhak Rupnik, ka thënë se tash për tash gjasat janë të vogla që të bjerë qeveria.
“Opozita është shumë e larmishme, prej së majtës radikale, por edhe të djathtës ekstreme. Tash për tash opozita nuk është mjaft e bashkuar për të paraqitur një alternativë të besueshme dhe për këtë shkak nuk paraqet rrezik për pushtetin”, ka vlerësuar Rupnik, transmeton N1.

Eksperti tjetër për Ballkanin, Aleksis Trud, ka thënë se kryetari i Serbisë Aleksandar Vucic nuk duket i brengosur për shkak të protestave.

“Ai vetëm ka paralajmëruar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, e këto zgjedhje për të nuk paraqesin kurrëfarë rreziku”, ka vlerësuar Trud dhe ka shtuar se Vucic sigurisht se do të fitonte përsëri në zgjedhje sepse, sipas gazetës, ai është i popullarizuar në provincën serbe, ku ka mobilizim të paktë kundër pushtetit, si edhe informim të pamjaftueshëm mbi ndodhitë në Beograd, kur e kërkojnë dorëheqjen e tij.

Gazeta vë në dukje se një prej shqetësimeve të qytetarëve në protesta është presioni i pushtetit në medie.

“Ndonëse nuk ekziston censura në kuptimin e plotë të fjalës, kanalet kryesore të informimit, të cilë kanë shikueshmëri më të madhe, janë nën kontroll”, ka vlerësuar Rupnik.

Gazeta shton se “dhuna politike, heshtja e shoqërisë civile dhe shtimi i kontrollit ndaj medieve paraqesin njërin për arsyeve të pakënaqësisë së qytetarëve”, por “pushteti edhe më tej e injoron këtë dhe nuk ka frikë për mbijetesën e tij”.