50 mijë veta kanë humbur punën në Kosovë për shkak të pandemisë

0
440

Qamil Shala nga Fushë-Kosova ka një muaj që ka mbetur pa punë, për shkak të masave emergjente, që kanë shtyrë shumë biznese të mbyllin dyert. Masat emergjente kanë nis së zbatuari që prej paraqitjes së koronavirusit të ri.

“Kam qenë punëtor në një market, por para një muaji më kanë larguar nga puna dhe tani jam i papunë; jo vetëm unë, aty ka pas shumë punëtorë, por janë larguar shumica dhe nuk e di çka do të bëhet pasi të përfundojë pandemia.

Nuk besoj që do të kthehemi aty për një kohë të gjatë, por do të kemi vështirësi edhe pas përfundimit të pandemisë, nuk e di me çka do të jetojmë”, thotë ai.

Kosova ka një shkallë papunësie prej 30 për qind, por ky numër pritet të jetë më i madh marrë parasysh numrin e personave, që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë.

Një hulumtim i Shoqatave Ekonomike në Kosovë i publikuar më 21 mars, vë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, sipas këtij hulumtimi rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla – rreth 13.9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve.

Qeveria e Kosovës në Pakon Emergjente Fiskale, e cila kap vlerën e rreth 180 milionë eurove, në një nga masat ka paraparë për punëtorët që kanë humbur vendin e punës pas shpalljes së masave nga qeveria, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajit e ardhshëm.

Rritet numri i punëkërkuesve
Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës bëjnë të ditur se është rritur numri i atyre të cilët regjistrohen si të papunë.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj Agjencie, Drin Haraçia, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm brenda pesë ditëve në zyrën e punësimit janë regjistruar mbi 6 mijë persona si të papunë.

Më 16 prill, Qeveria e Kosovës ka filluar të aplikojë masën 15 të Pakos Emergjente Financiare, masë kjo e cila parasheh 130 euro asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.

“Një nga kriteret për të marrë një ndihmë nga Pakoja Emergjente është regjistrimi si i papunë. Që prej nisjes së kësaj mase kemi të regjistruar mbi 6 mijë veta si të papunë, por kjo shifër do të jetë më e lartë, sepse në zyrat që janë nëpër të gjitha komunat, ka një numër të madh të aplikimeve fizike dhe online.

Në ditët në vazhdim të gjitha këto do të vendosen në sistem dhe ky numër do të jetë shumë më i lartë”, thotë Haraçia.

Deri më datën 15 mars të këtij viti, numri i të papunëve të regjistruar në Agjencinë e Punësimit ka qenë 75 mijë punëkërkues.
Oda e Afarzimit: Mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur punën

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se tani më në Kosovë kanë humbur punën rreth 50 mijë punëtorë për shkak të ndërprerjes së obliguar të disa veprimtarive ekonomike.

“Se sa do të rritet niveli i papunësisë, kjo do të varet se sa do të mbështeten bizneset në këtë kohë nga shteti. Për aq kohë sa shteti nuk i mbështet bizneset që të kenë likuiditet apo t’ju ndihmojnë finaciarisht, atëherë papunësia do të jetë shumë më e madhe sesa që është tani.albinfo.ch

Ne mendojmë që së paku 50 mijë punëtorë deri më tani kanë mbetur pa punë”, thotë Krasniqi.

Leave a Reply