Unë gruaja, e barabartë me burrin!

0

Lindëm duke qarë si paralajmërim se bota nuk do të ishte e lehtë për t’u jetuar. U akuzuam në gjenezë si nxitëse të mëkatit, kinse, i prishëm mendjen Adamit për të ngrënë mollën e mëkatit, e për pasojë u dënuam. U dënuam të lindim me dhimbje, u dënuam të dashuronim fort burrin e të ishim të nënshtruara ndaj tij. Përpjekjet për të qenë të pavarura mbetën një mundim n’tentativë të përhershme.

Pavarësia është një koncept i cili vazhdimisht sot po ceket. Çdo të thotë të jesh i pavarur?

Të jesh i pavarur do të thotë të mos kesh as me të voglën ndjesi varësie ndaj dikujt apo diçkaje, të kesh mëvetësi ekonomike, sociale, politike etj. Pra shkurt, pavarësi është të kemi mundësi të përballojmë gjithçka vetëm, pa pasur nevojën e dikujt apo diçkaje pranë. Mbas këtij preceptimi mendoj se kërkohet nga të gjithë të rigjykojmë me veten nëse jemi apo jo të pavarura, për këtë kërkohet të meditohet në qetësi duke lidhur gjendjen tonë me gjithçka që na rrethon.

Jam plotësisht dakort me disa që bërtasin në protesta për pavarësi, integritet, barazi etj. Në fakt e bërtitura nuk është gjë e huaj për gratë, kjo ndoshta për t’i treguar se ne mund ta trashim zërin njësoj si burrat, e se kemi mjaftueshëm fuqi për të sfiduar estrogjenin e dhënë me shumicë nga natyra. Por një gjë është e sigurtë se e bërtitura sot është më e çlirët se dikur, kjo e bërtitur është për t’u përgëzuar sepse tashmë gratë janë të ndërgjegjshme për veten e tyre, ndryshe nga disa dekada më parë. Ulërima, çjerrja e zërit, mendoj se është një nevojë e brendshme e femrës sot, e cila vjen si pasojë e ndrydhjes së dikurshme. Në fakt ky është një fenomen i cili dëshmon për ekzistencën e një shoqërie kokëfortë, maskiliste dhe imponuese.

Ne gratë, njësoj si burrat!

Po, gratë janë njësoj si burrat. Nuk mund të kemi barazi fizike, por absolutisht duhet të kemi barazi në detyra. Piqem në mënyrë unanime se gratë janë të afta. Ato punojnë, mund të kontriubojnë monetarisht në familje, ndihmojnë në pagesat e faturave të energjisë së ujit, gazit etj. Gratë mund të bëjnë edhe punë të dyta. Sigurisht, mbas një pune të lodhshme dhe jo rrallëherë edhe shfrytëzuese ku edhe këtu ka vend për diskutim mbi politikat që ndjekin punëdhënësit në punësimin e grave, por kjo është një çështje tjetër. Gratë punojnë në shtëpi, kujdesen për fëmjët, pastrojnë, hekurosin, gatuajnë, këto e shumë të tjera. Mund të themi se puna i ka bërë gratë të ndihen të pavarura, të ngrenë zërin e të thonë se, une jam e aftë në tërësi po aq sa burri. Por a jemi të pavarura?

Për dreq kjo pavarsia është liri. Lidhja e burrit me gruan është e hershme e kjo lidhje duket sikur kushtëzon konceptin e pavarsisë, lirisë te gratë në lidhje me burrat. Ajo që lipset të theksohet është se barazia në detyra është thelbi i një demokracie dhe është thelbësore për një shoqëri që kërkon të dalë nga primitiviteti. Një shoqëri që kultivon vlera të tilla të cilat konsitojnë në shance e detyra të barabarta, në fakt ka garantuar mirëqënien e grave e vajzave, e mbi të gjitha ka ndikuar në edukimin ndryshe të djemve. Është koha të sfidojmë rolet gjinore tradicionale tipike për një kohë të shkuar mesjetare. Krijimi i mundësive të barabarta krijon potencialisht rritje pozitive ekonomike, sociale e politike. Shoqëria jonë ndjen ethshëm nevojën për të dëshmuar ndryshime të tilla dhe domethënëse.

Autore: Erisa Sipri