TIKA e Turqisë restauron dy xhami të vjetra në Prishtinë e Prizren…

0
Fotografia: Ilustrim

Ministria e Kulturës dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë nënshkruar memorandum për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë dhe Xhamisë së Sulltan Mehmetit në Prizren.
Sipas kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, këto janë xhamitë më të vjetra në Kosovë.
Për nënshkrimin e marrëveshjes është mbajtur konferencë për media ku ka folur kreu i BIK, ambasadorja turke Kivilcim Kiliç, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës Veton Firzi dhe Drejtori i TIKA-s për Kosovë, Hasan Burak Ceran.
Ky i fundit tha se shuma që do të ndahet për restaurimin e dy xhamive nuk është e përcaktuar por do të jetë në bazë të nevojave të projektit.
Ndërsa, myftiu i Kosovës Naim Tërnava tha se dita e nënshkrimit të restaurimit ka rëndësi të madhe.

“Mbrëmë ishte natë e madhe—ishte Nata e Kadrit. Siç po shihet edhe kjo ditë është një ditë e bereqetshme dhe ditë e madhe edhe për ne ngase po vijmë deri te nënshkrimi e këtyre memorandumeve për restaurimin e dy xhamive më të vjetra në Kosovë”, tha ai. Po ashtu Tërnava kërkoi që Ministria e Kulturës ta bëjë më të lehtë punën për restaurimin e xhamive në Kosovë.
“Është një e vërtetë e madhe se Bashkësia Islame e Kosovës po has në disa pengesa të pajustifikueshme në raport me restaurimin e xhamive të ndryshme në Prishtinë dhe në qytete të tjera, derisa xhamitë e vjetra janë në gjendje të mjerueshme”, u shpreh ai.
Mirëpo u shpreh se pret që Ministria të angazhohet në mënyrë që restaurimi të bëhet në një afat të shkurtë.

“Megjithatë besoj se me një angazhim edhe të Ministrisë së Kulturës, që e ka për obligim ta bëjë këtë—t’i lehtësojë punët—ne do të arrijmë të fillojmë punën edhe me këto tri xhami brenda një muaji apo një muaji e gjysmë”, tha ai duke iu referuar tri xhamive të tjera në Prishtinë.

Ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç në Kosovë tha se monumentet mund të shprehin lidhje në mes të popujve.

“Shpresojmë që këto monumente të lidhjes sonë të përbashkët të jenë një lidhje e fortë në mes të dy popujve tonë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, sekretari i MKRS, Veton Firzi tha se Ministria do ta bëjë mbikëqyrjen e ndërtimit dhe mbikëqyrjen e aspekteve procedurale.

“Në bazë të memorandumit të nënshkruar sot obligimet e Ministrisë së Kulturës janë që të sigurojë që pjesa e procedurave administrative dhe mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve të bëhet konform Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, u shpreh ai.