Shqipëria gjen sulmuesit, fitoren dhe qetësinë!

0

Pa Christian Panuccin, Shqipëria funksionon. Me Ervin Bulkun dhe Sulejman Memën në stol kuqezinjtë morën fitoren e parë në këto eliminatore pasi triumfuan 0-3 në transfertë ndaj modestëve të Andorras.

Në ndeshjen e tij të parë por me shumë gjasa edhe të fundit si trajner i Shqipërisë, Ervin Bulku bëri 5 ndryshime krahasuar me formacionin që hodhi në fushë nga minuta e parë Christian Panucci në ndeshjen ndaj Turqisë dhe ia doli ta niste me këmbën e mbarë eksperiencën e tij si trajner. Para 17 vjetësh pikërisht në një ndeshje ndaj Andorras, Shqipëria drejtohej për herë të fundit nga një trajner shqiptar, pikërisht nga Sulejman Demollari, ndërkohë që 17-vjet më pas një tjetër trajner shqiptar Ervin Bulku i ndihmuar edhe nga Sulejman Mema riktheu qetësinë në një ambient të trazuar nga ecuria e dobët në Nations League, humbja ndaj Turqisë dhe shkarkimi i Panuccit. Nisi me një Shqipëri shumë sulmuese ndeshja me Uzunin që për pak sa nuk shënoi që në sekondat e para, por goditja e tij pas asistit të Grezdës u ndal nga traversa. Në minutën e 2-të, arbitri i mohoi një penallti të pastër Grezdës, gjithsesi Shqipëria nuk u demoralizua dhe në minutën e 21-të, Sadiku përfitoi nga një gabim i portierit Gomes të Andorrës që nuk e largoi mirë topin, me bomberin elbasanas që i vodhi kohën kapitenit të Andorrës duke e dërguar topin me mjeshtëri në portën e boshatisur.

Ky ishte goli i parë i Shqipërisë në një ndeshje zyrtare pas plot 4 takimesh pa gol dhe i 12-ti i Sadikut me fanellën e kombëtares me këtë të fundit që kaloi Hamdi Salihin në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave.Në pjesën e parë mundësinë ideale për të dyfishuar shifrat e kishte Taulant Xhaka që me portën e boshatisur bëri të pabesueshmen duke gabuar nga shumë pranë. Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra disi ndërsa Bulku bëri tre zëvendësime duke hedhur në fushë, Abrashin, Balajn dhe Memushajn. Pikërisht sulmuesi shkodran i rrëmbeu topin një mbrojtësi kundërshtar dhe i vetëm përballë portierit i ndihmuar edhe nga devijim i çoi shifrat në 0-2. Në sekondat e fundit të 5 minutave shtesë, pas një goditjeje standarte e ekzekutuar nga Ledian Memushaj që u ndal nga portieri kundërshtar dhe traversa, topi përfundoi në kokën e Amir Abrashit që shënoi golin e tij të parë me kombëtaren duke vulosur fitoren 0-3 të Shqipërisë dhe 3 pikët e para të kuqezinjëve në këto eliminatore./SS