Reagon Ronaldo pas dënimit me 2 vite burg dhe gjobës prej 19 milionë euro

0

Ylli i Juventusit Cristiano Ronaldo ka thënë se çdo gjë është në rregull pas dënimit prej dy vitesh me burg me kusht dhe gjobës në vlerë 19 milionë euro për mashtrim tatimor gjatë kohës së tij në Spanjë si lojtar i Real Madridit.
Portugezi u paraqitet para trupit gjykues sot dhe u përball me akuzat për falsifikim të të dhënave për përfitime financiare nga shitja e të drejtave të imazhit. Gjykata mori vendim për ta dënuar me dy vjet burg me kusht dhe gjobë prej 19 milionë eurosh për portugezin, transmeton Gazeta Express.

Pasi doli nga gjykata, Ronaldo iu përgjigj vetëm njërës prej shumë pyetjeve të gazetarëve.

“Gjithçka në rregull, krejt perfekt”, tha Ronaldo teksa u largua nga gjykata.

Në vitin 2017, Ronaldo kishte thënë se nuk kishte tentuar asnjëherë t’i shmanget pagimit të taksave për përfitimet e tij financiare.

Megjithatë, ai u akuzua nga një prokuror i shtetit për katër falsifikime të të dhënave financiare gjatë viteve 2011-2014. Prokurori bëri të ditur se Ronaldo i ka fshehur 14.7 milionë euro përmes kompanive jashtë Spanjës.

Akuzat nuk i përfshijnë pagat që ai i ka marrë nga Real Madridi qysh nga transferimi i tij në vitin 2009 nga Real Madridi.

Në Spanjë, gjyqtarët shqiptojnë dënim prej 2 vjetësh burg për personat që e shkelin ligjin për herë të parë. Ronaldo nuk do ta vuajë këtë periudhë dënimi me burg, pasi që kishte arritur marrëveshje për ta paguar një gjobë prej 19 milionë eurosh.