Prokuroria ende heton zyrtarët që dhanë leje për ndërtimet afër hekurudhës në Prizren

0

Hetimet e Prokurorisë Themelore të Prizrenit ndaj 12 zyrtarëve të ndryshëm për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me lëshimin e lejeve ndërtimore në afërsi të pronës së Hekurudhave të Kosovës në Prizren ende nuk janë përmbyllur.

Drejtuesit e kësaj prokurorie kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për çështje të ndërlikuar që është trajtuar si prioritet nga organi i ndjekjes, duke shtuar se hetimet do të përmbyllen brenda këtij viti.

“Me ardhjen time si kryeprokuror i kam dhënë prioritet këtij rasti. Çështja e hekurudhave me të vërtetë është rast sfidues për ne, sepse është pak i ndërlikuar dhe ka shkaktuar probleme serioze në pronën apo qytetin e Prizrenit. Këtë rast e kemi trajtuar me prioritet, kemi punuar goxha shumë dhe besoj se këtë vit do ta përmbyllim”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit. Admir Shala.

Ai ka shpjeguar se lidhur me këtë çështje hetimet kanë filluar ndaj 13 personave. “Lënda është akoma nën hetime. Do të njoftoheni për çdo eventualitet se çka ndodh me këtë rast”, është shprehur Shala.

Ai ka përkujtuar se ky organ kohë më parë kishte publikuar informata lidhur me veprimet e saj në raport me rastet e uzurpimeve të pronës së Hekurudhave të Kosovës në territorin e Komunës së Prizrenit.