Prizren: Padi ndaj BKT-së – akuzohet se falsifikoi nënshkrimin e qytetarit për t’ia marrë shtëpinë

0
Foto: Ilustrim

Sali Shehu nga Prizeni akuzon Bankën Kombëtare Tregtare se ia falsifikoi nënshkrimin në dokumente me qëllim shitjen e shtëpisë së hipotekuar prej tij në vitin 2009.

Sali Shehu, 54-vjeç, mund ta humbasë shtëpinë e tij në Prizren të hënën, pasi ajo do të jetë pjesë e një ankandi publik si pasojë e inicimit të një procedure përmbarimore ndaj tij nga Banka Kombëtare Tregtare vitin e kaluar.

Shtëpinë prej 225 metrave katëror, Shehu e kishte hipotekuar me rastin e lidhjes së një kontrate me Bankën Kombëtare Tregtare, më 6 mars të vitit 2009, kur kishte marrë 150 mijë euro kredi me afat të kthimit për 180 muaj.

54-vjeçari kishte shlyer të gjitha obligimet kontraktuale për afër gjashtë vite, deri më 30 janar të vitit 2015, kur një aneks-kontratë për riprogramimin e borxhit të mbetur të tij kishte hyrë në fuqi në Bankën Kombëtare Tregtare.

Mirëpo, Sali Shehu pretendon se është mashtruar nga BKT-ja. Pretendon se ai dhe katër bashkë-kredimarrësit e tjerë nuk e kanë nënshkruar asnjëherë aneks-kontratën për riprogramimin e borxhit të mbetur ndaj bankës, sipas të cilit dokument pas tri vitesh BKT-ja do të iniconte procedurë përmbarimore ndaj tij.

Ai thotë se nënshkrimet e tyre janë falsifikuar.

Në korrikun e vitit të kaluar, Banka Kombëtare Tregtare inicoi procedurë përmbarimore ndaj Sali Shehut dhe katër bashkë-kredimarrësve të tjerë – familjarë të 54-vjeçarit – me arsyetimin se ata nuk i janë përmbajtur aneks-kontratës për riprogramimin e kredisë, sipas kontratës për kredi të vitit 2009.

BKT-ja, e cila pretendonte se Shehu dhe katër bashkë-kredimarrësit e tjerë i kishin mbetur bankës 109 mijë euro borxh, inicoi procedurë përmbarimore pranë përmbaruesit privat, Rushit Hoxha.

Për këto arsye, Sali Shehu përmes avokatit Taulant Hodaj ngriti padi ndaj BKT-së për anulimin e aneks-kontratës për riprogramimin e kredisë. Kërkoi nga Gjykata Themelore në Prizren që të vendosej masë siguruese deri në vendimin e Gjykatës lidhur me padinë e ngritur ndaj BKT-së, në mënyrë që të mbronte shtëpinë e hipotekuar më 2009.

Në padinë e ngritur ndaj BKT-së thuhet se përmbaruesi privat shkeli Ligjin për Procedurën Kontestimore pasi nuk lajmëroi me kohë palën tjetër për inicimin e përmbarimit dhe mori vendim për ta vënë në shitje shtëpinë prej 225 metrave katror të Shehut.

“Përmbaruesi privat Rushit Hoxha edhe përkundër faktit që nuk e ka bërë dërgimin e shkresave në mënyrë të rregullt ashtu siç kërkohet me Ligjin për Procedurën Kontestimore, dhe paditësit padrejtësisht i ka humbur afati për paraqitjen e prapësimit, i njëjti me datë 27/06/2018 ka marrë konkluzion me të cilin vë në shitje paluajtshmërinë përmes ankadit verbal publik”, thuhet në padi.

Po ashtu thuhej se paditësi kishte angazhuar “Shoqatën e Shkencave Ligjore – Qendra e Kërkimeve dhe Ekspertimeve Kriminalistike” për të verifikuar nëse rezultonin të vërteta nënshkrimet e Shehut dhe katër kredi-marrësve të tjerë.

Mirëpo, raporti i përpiluar nga ekspertët grafologjik të “Shoqatës së Shencave Ligjore – Qendra e Kërkimeve dhe Ekspertimeve Kriminalistike” nxorri në përfundim se nënshkrimet e kredimarrësve ishin falsifikuar.

“Sipas akteve të ekspertimit të përpiluar nga instituti ‘Shoqata e Shkencave Ligjore – Qendra e Kërkimeve dhe Ekspertimeve Kriminalistike’, ka rezultuar se nënshkrimi në aneksin e riprogramimit të kredisë sipas kontratës së kredise nr. 0489/09, e datës 06/03/2009 dhe kontratës për hipotekën nr. 0489/09, e datës 17/03/2009, i vënë kinse nga Paditësi, nuk është nënshkrimi i Paditësit”, thuhet në padinë që Sali Shehu ka ngritur ndaj BKT-së.

“Madje, sipas këtyre akteve të ekspertimit ka rezultuar se nënshkrimet e bashkë-kredimarrësve znj. Nazlije Shehu dhe znj. Edita Shehu, si dhe nënshkrimet e garantuesve znj. Semija Shehu, znj. Saranda Shehu, z. Samir Shehu nuk janë nënshkrimet e origjinale të tyre”, thuhet në padi.

Por, në një aktvendim të lëshuar në muajin nëntor, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prizren, Shaban Shala, vendosi kundër padisë dhe kërkesës së Sali Shehut për të vendosur masë sigurimi ndaj shtëpisë të cilën e kishte hipotekuar.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar Insajderi, Gjyqtari Shala vendosi pro Bankës Kombëtare Tregtare. Vendosi që “procedura në këtë çështje të shkojë sipas procedurës kontestimore”, duke injoruar argumentet e paraqitura nga avokati i Sali Shehut – në mesin e tyre edhe raportin e ekspertëve grafologjik.

Pas refuzimit të Gjykatës, Sali Shehu përmes avokatit të tij deponoi një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit kundër Bankës Kombëtare Tregtare dhe dy zyrtarëve të saj, që sipasj këtij kallëzimi penal janë përfshirë në falsifikimin e aneks-kontratës për riprogramimin e kredisë.

Në këtë kallëzim penal thuhet se Banka Ekonomike dhe dy përfaqësuesit e saj, F.M. dhe Z.G., dyshohen për kryerjen e veprave penale: Falsifikim i Dokumentit, Keqpërdorimi i Autorizimeve Ekonomike dhe Mashtrimi ose Dëmtimi i Kreditorëve.

“Ekziston dyshimi i bazuar se F.M dhe Z.G në cilësinë personave përgjegjes – përfaqësuesve të BKT-së si kredidhënëse, me datë 30.01.2015 në lokalet e BKT-së në Prizren pas një marrëveshjeje paraprake në mes tyre, kanë përpiluar në mënyrë të plotë Aneks- kontratën për ri-programimin e kredisë”, thuhet në kallëzimin penal që avokati Taulant Hodaj dorëzoi në Prokurori më 30 nëntor të vitit të kaluar.

Kallëzimi penal ngrit dyshime se BKT dhe përfaqësuesit e saj kanë falsifikuar qëllimshëm dokumentet e Sali Shehut.

“[…] kanë bërë hartimin e plotë të aneks- kontratës duke i caktuar vet kushtet e kontratës dhe të njëjtit me dashje që BKT të përfitojë kundërligjshëm dobinë pasurore, kurse debitorëve (palës kredimarrëse – bashkredimarrësit dhe garantuese) t’iu shkaktohet dëm, kanë falsifikuar nënshkrimet e debitorëve”, pohohet në kallëzimin penal.

Përfaqësuesi ligjor i Sali Shehut ka kërkuar nga Prokuroria që të ngrijë paluajtshmërinë e hipotekuar.

Por pavarësisht se kanë kaluar më shumë se një muaj që prej deponimit të kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore në Prizren, Taulant Hodaj, avokati i Sali Shehut, ka thënë për Insajderin se Prokuroria ende nuk ka vepruar.

Ai ka paralajmëruar se në këtë mënyrë, klienti i tij mund ta humbë në mënyrë të kundërligjshme shtëpinë e tij.

“Përveç kallëzimit penal dhe kërkesës për ngritje të aseteve dërguar Prokurorisë, ne kemi bërë përpjekje që ti spjegojmë edhe nevojën e urgjencës së veprimit në këtë rast për shkak të rrezikut të shitjes të kundërligjshme”, ka thënë Hodaj në një përgjigje për Insajderin. “Përkundër kësaj Prokuroria ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim me arysetim pse rasti ende nuk ju është ndarë prokurorit të rastit”.

Teksa Prokuroria e Shtetit nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ngrirjen e aseteve të hipotekuara të Sali Shehut, përmbaruesi privat, Rushit Hoxha, e ka vendosur në ankand publik shtëpinë e 54-vjeçarit nga Prizreni. Ankandi i dytë dhe i fundit për shitjen e paluajtshmërisë së Shehut mbahet më 21 janar.

Insajderi ka siguruar dokumentin që vërteton se përmbaruesi privat, i inicuar nga Banka Kombëtare Tregtare, e ka vendosur në shitje shtëpinë e Sali Shehut.

Në këtë dokument të përmbaruesit privat, të lëshuar më date 21 dhjetor të vitit të kaluar, thuhet se për shkak të borxhit të debitorëve ndaj Bankës Kombëtare Tregtare “bie konkluzion për shitjen e paluajtshmërisë përmes ankandit të dytë verbal publik”.

Ky është ankandi i fundit për shitjen e pronës së hipotekuar të Sali Shehut dhe atë mund ta blejë edhe Banka Kombëtare Tregtare. Avokati i Sali Shehut thotë se BKT, perms këtij ankandi publik, do të përfitojë kundërligjshëm pasurinë e fituar me vepër penale.

“Pasurinë mund ta blej banka, që janë të njejtit që kanë shkaktuar veprat penale dhe te dyshuarit (Banka me zyrtarët e sajë) do të përifitojnë kundërligjshëm pasurinë e fituar me vepër penale”, ka thënë avokati Hodaj për Insajderin.

Nëse prona e hipotekuar nga Sali Shehu shitet në ankandin publik që mbahet të hënën, atëherë ai do ta ketë pothuajse të pamundur kthimin e pronës, edhe në qoftë se vërtetohet se shtëpia prej 225 metrave katëror është shitur në mënyrë të kundërligjshme.

“Anulimi ose ndryshimi i aktvendimit ose urdhrit të përmbarimit pasi të jetë zbatuar aktvendimi ose urdhëri me të cilin është konstatuar shitja e paluajtshmërisë, nuk ndikon në të drejtën e pronësisë së blerësit të fituar në bazë të aktvendimit për dorëzimin e paluajtshmërisë”, thuhet në Nenin 246 të Ligjit për Prcoedurën Përmbarimore.

Insajderi ka kërkuar të marrë sqarime edhe nga Banka Kombëtare Tregtare lidhur me këtë rast, mirëpo zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet që gazeta ka dërguar në adresë të tyre përmes e-mailit. /Insajderi.com