Pas një sherri mes dy familjeve në një lokal në Austri, qëllohet për vdekje shqiptari

0

Një shqiptar nga Maqedonia ka humbur jetën në Vocklabruck të Austrisë si pasoje e një sherri në një lokal të shtunën (9 shkurt). Mediat vendase raportojnë se viktima është Visar N. 29 vjeç nga Maqedonia. Ngjarja ka ndodhur në shisha barin “Veelax” në Regau dhe shqiptari është qëlluar me thikë nga disa persona ende të paidentifikuar.

Përmes një të afërmi, mediat austriake mësojnë se viktima la pas gruan dhe dy fëmijë të vegjël, konkretisht një vajzë tetëvjeçare dhe një djalë katërvjeçar që tani po vuajnë mungesën e babait të tyre.

Ndërkaq, sipas “nachrichten”, deri më tani janë arrestuar 9 persona për rastin, ndonëse ende nuk dihet vrasësi, transmeton Koha.net.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Christian Hubmer, ka thënë se është duke u ekzaminuar ADN-ja në thikën e gjetur.

Ky medium raporton se përleshja ka nisur mes dy familjeve të armiqësuara që ka eskaluar në dhunë.

Mediumi tjetër austriak, “krone”, raporton se ka edhe video-pamje të ngjarjes së rëndë.

Pronari i lokalit, Walid H., ka thënë se në lokalin e tij ka kamera gjithandej, dhe ka theksuar se kanë qenë të aktivizuara në natën tragjike. Ai thotë se video-dëshmitë janë marrë nga policia.

Mediumi po ashtu raporton se të ndaluar janë 10 persona – pesë nga njëra familje N. dhe pesë nga tjetra, familja T., që të gjithë shtetas të Maqedonisë të moshave nga 18 deri në 34 vjeç, që dyshohet të kenë marrë pjesë në përleshjen masive në shisha-barin në Regau.

Tre persona kanë pësuar lëndime nga disa thika që janë përdorur në këtë përleshje.

Armiqësia mes shtetasve të Maqedonisë daton goxha kohë më parë. Raportohet po ashtu se viktima, Visar N. ishte pranë vdekjes edhe 4 vjet më parë si pasojë e një përleshjeje me të njëjtën familje në vendlindje. Dyshohet se ka të bëjë me konkurrencën në industrinë e ndërtimtarisë.

Prindërit e viktimës ende jetojnë në Maqedoni. Viktima 29-vjeçare menaxhonte një kompani në Attnang-Puchheim dhe do të varroset atje.