LDK bën thirrje që të mos denigrohet dhe të mos shkatërrohet sistemi shëndetësor

0

Deputeti Haxhi Avdyli si dhe deputeti Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbajtur sot një konferencë për media.

Tema për të cilën folën të dy deputetët është Ligji për Pagat, si dhe pakënaqësitë e shprehura lidhur me vendosshmërinë e këtij ligji.

Tutje është përmendur edhe çështja pagesës së çerdheve publike në Prishtinë, edhe pse çerdhet funksionuan vetëm pesë ditë, si pasojë e grevës.

Kjo çështje u trajtua javën e kaluar nga Indeksonline, ku u publikua edhe një letër e prindërve, drejtuar kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Nuk kemi ndonjë projekt të mirëfilltë për Spitalin e Prishtinës, ndërsa kemi ngecje edhe në projekte të ndryshme në spitalet rajonale, konkretisht në Spitalin e Ferizajt e të tjera. Në ditët e kaluara kemi pasur aprovimin e Ligjit për Paga, ky ligj ka shkaktuar pakënaqësi tek punëtorët shëndetësore dhe krejt kjo si rrjedhojë e padrejtësisë dhe pabarazisë e shkaktuar te shumë punëtorë shëndetësorë. Konkretisht po flasim për infermierët, të cilët po shprehin pakënaqësi të madhe për shkak se nuk janë graduar sa duhet. Në sektorin e shëndetësisë, infermierët janë bartësit kryesore të shërbimeve shëndetësore dhe në bazë të këtij ligji nuk kemi një dallim në mes infermierëve që kanë kryer studime ndaj atyre që janë me shkollë të mesme dhe kjo ka indinjuar ata. Kjo po stimulon ikjen e tyre jashtë shtetit”, ka thënë deputeti Haxhi Avdyli.

Sipas tij, rritja e pagave në Qeverinë e Kosovës ishte  në mënyrë jotransparente, si dhe në administratë të SHSKUK-së ka shkaktuar irritim tek punëtorët shëndetësorë.

“Manipulimet e opinionit nga ky ministër i Facebook-ut, abuzimet me paratë publike dhe tendenca që projektet e filluara dy e tri vite më parë t’ia adresojë vetvetes janë si pasojë e mungesës së vizonit dhe paaftësisë së tij dhe vartësve të tij edhe në Shërbimin Klinik të Kosovës, që pacientëve t’u ofrojë shërbime cilësore. Shërbimi Shëndetësorë në Kosovë është në kolaps. Le t’i kthehet punës ministri, le t’i lërë selfie-t nëpër korridore e me disa pacientë që shpesh herë edhe nuk i lejohet të veprojë ashtu “, ka thënë deputeti Naser Rugova.

Tutje Rugova bëri thirrje që të mos denigrohet dhe të mos shkatërrohet sistemi shëndetësorë në vend.