Kurti: Misioni i përbashkët me LDK-në është ta ndalim Thaçin

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti qeverinë Haradinaj e ka konsideruar qeveri të vdekur, të pakallur dhe një qeveri zombie, duke e vënë në pah mosbesimin që ekziston mes partnerëve të koalicionit.Në një intervistë me shkrim për Gazetën Jeta në Kosovë, Kurti ka folur edhe për bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me të cilën ka thënë se kanë misionin e përbashkët, atë të ‘ndaljes’ së presidentit Hashim Thaçi.Në mes tjerash, i pari i VV-së, ka folur për taksën 100 përqind ndaj mallrave serbe, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe pritjet nga Ekipi Negociator i Qeverisë së Kosovës.
Gazeta JnK: Paralajmërimet e fundit nga Ekipi Negociator i Qeverisë janë se në kuadër të fazës së fundit të dialogut me Serbinë do të diskutohen dëmet e luftës si dhe çështja e personave të pagjetur përderisa thonë se njohja e ndërsjellë është qëllimi kryesor. Pse nuk do ta përkrahnit një dialog që trajton një ndër çështjet që Vetëvendosje vazhdimisht e ka ngritur si kritikë ndaj dialogut të deritanishëm të ndërmjetësuar nga BE? Apo, nuk besoni se Ekipi Negociator do t’i vë këto si kushte?Albin Kurti: Ne i kemi parashtruar disa hapa të nevojshëm për dialogun. Ato hapa fillojnë me transparencën e plotë mbi dialogun e bërë deri më tash, shqyrtimin dhe vlerësimin e 33 marrëveshjeve gjatë atyre gjashtë vjetëve, si dhe marrjen e përgjegjësive nga personat përgjegjës, për dështimet që ka prodhuar për Kosovën ky dialog. Më pastaj, duhet t’ia shtrojmë zyrtarisht e publikisht, si shtet, si qeveri e si kuvend, kërkesat tona Serbisë e cila na ka aq shumë borxh.Duhet të fillojmë edhe ne në Kosovë të kuptojmë se përgjegjësitë dhe fajet para ligjit nuk shlyhen duke deklaruar qëllime të mira. Nuk mjafton që dikush, Hashimi, Ramushi a ndonjë tjetër mund ta përvetësojë ndonjë element nga programi i Vetëvendosjes, pasi alternativa jonë nuk është alibi mbuluese për keqbërësit, por udhërrëfyes për të ndershmit.
Me këtë dua të them se ata që na kanë mashtruar dhe na kanë sjellë stagnim madje edhe regres përgjatë këtyre viteve të shumta që kanë udhëhequr dialogjet dhe Kosovën, nuk ka nevojë t´i besojmë kësaj radhe se do të bëjnë diçka të mirë për Kosovën. Sa i përket grupit negociator, ata tashmë është e ditur dhe e pohuar edhe nga BE se nuk kanë rol tjetër përveçse si këshilltarë të Thaçit, prandaj nuk janë në gjendje të vendosin kushte. Atyre Hashimi as nuk po u raporton e nuk po u jep dokumenta që të dinë se si janë punët me dialogun. Deputetët e PDK-së, përfshirë edhe mbesën e presidentit, znj. Evgjeni Thaçi, e patën mbështetur e votuar të ashtuquajturin ‘delegacion shtetëror’, i cili thoshte se kinse do ta kufizonte presidentin Thaçi.Edhe një herë, e vetmja mënyrë për të ecur përpara me një proces legjitim, demokratik e të mbështetur nga qytetarët e subjektet politike, është duke filluar me shqyrtimin e dialogut të deritashëm, e pastaj me qëllimet tona që bëhen kërkesa ndaj Serbisë, si dhe me zgjedhjet e reja që do të përcaktonin se cila platformë ideore e parimore dhe çfarë ekipi negociator e me cilin udhëheqës duhet të drejtojë me dialogun dhe me Kosovën.
Gazeta JnK:: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe Bashkimi Europian kanë kërkuar arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. A është Kosova e gatshme për një marrëveshje të tillë dhe a prisni që kjo marrëveshje të jetë një koncesion tjetër pas koncesioneve të bëra me pakon e Ahtisari-t?Albin Kurti: Së pari, ne duhet të sqarojmë për opinionin botëror dhe për miqtë e aleatët e Kosovës se çfarë do të thotë “normalizim”. Për Kosovën e vetmja marrëdhënie normale mund të jetë njohja dhe dëmshpërblimi nga Serbia, e asgjë tjetër. Nëse ndonjë politikan i Kosovës ka lënë të kuptohet se mund të ketë marrëdhënie të normalizuara edhe pa njohje, kjo është vepër e cila duhet hetuar, pasi është kundër sovranitetit të Kosovës. Kosova është vend i pavarur, dhe marrëdhënie normale ka vetëm me vendet që e njohin.Jam i sigurt, me kontaktet që kam, se edhe aleatët e Kosovës e shohin kështu, dhe kur flasin për marrëveshje e kanë fjalën pikërisht për njohjen e Kosovës. Por ne nuk e ndihmojmë as veten e as aleatët tanë kur lejojmë ndonjë politikan nga Kosova të shtrojë teza dhe ide për normalizim pa njohje.Sa i përket sakrificave e koncesioneve, Kosova boll ka sakrifikuar. Nuk do të vijë njohja e Kosovës nga lëshimet dhe koncesionet që ne do t´i bëjmë, por vetëm nga këmbëngulja jonë në përparimin dhe zhvillimin e shtetit në të gjitha aspektet. Edhe njohjet janë pakësuar, edhe integrimi evropian është larguar e liberalizimi i vizave nuk po bëhet, jo pse s´kemi sakrifikuar, por sepse kemi një shtet shumë të korruptuar, me imazh shumë të keq, që gjithë bota e di se qeveriset nga mafiozë, monopolistë e kriminelë.Të besosh se përmes ndonjë koncesioni Kosova do të mund “të blejë” njohjen është gabim. Nuk “e blemë” dot liberalizimin e vizave, edhe pse Ramushi bëri koncesion duke ia dhuruar 8.200 hektarë Malit të Zi. As me pakon e Ahtisaarit nuk “e blemë” dot ulësen në OKB. Ata që mendojnë se duke dhënë territor në veri do të marrin njohjen e Serbisë, Rusisë dhe Kinës, le ta dinë se nuk është kështu. Në datën 22 janar 2019 në një institut të Moskës u publikuan analizat se edhe nëse Serbia e njeh Kosovën për të integruar veten në BE, Rusia nuk do ta njohë Kosovën sepse nuk fiton asgjë prej kësaj. Kushedi çka kërkon Rusia, kur ti ke treguar se je në gjendje “të sakrifikosh pafundësisht”. E pas Rusisë, kushedi ç´do të na kërkojë Kina. Pra, edhe një herë, të mos e përcjellim logjikën qesharake të Thaçit, të kuptojmë se nuk mund të blihen njohjet. Ato arrihen vetëm përmes ndërtimit të një shteti serioz e të zhvilluar, dhe kjo bëhet me udhëheqës punëtorë e jo me udhëheqës që kanë qejf luksin vetjak.Gazeta JnK: Sipas jush, si duhet të trajtohet çështja e Luginës së Preshevës në kuadër të dialogut me Serbinë?A e përkrahni idenë e kreut të ekipit negociator, Shpend Ahmetit, i cili ka thënë që çështja e Luginës duhet të trajtohet në kuadër të dialogut?Albin Kurti: Lugina nuk është diasporë, që ta përfaqësojmë nga këtu, por është tokë autoktone, truall kombëtar shqiptar. Ata nuk mund t´i përfaqësojë një grup i pazgjedhur partish minore nga Prishtina. Ne e kemi bërë me dije qëndrimin tonë: Lugina e Preshevës duhet të përfaqësohet në dialog përmes përfaqësuesve të tyre. Nuk ka asgjë të tepërt në këtë kërkesë, dhe kjo do të duhej të ishte realizuar qëmoti. Serbët e Kosovës i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në dialog, madje me pozita vendimmarrëse.Si do të duhej të trajtohej Lugina, është në radhë të parë çështje e kërkesave të vetë banorëve të Luginës. Ata nuk duhet të kërkojnë asgjë më pak se sa të drejtat dhe benefitet që gëzojnë serbët e Kosovës, e nëse Serbia nuk ua jep ato të drejta, atëherë ata prej kësaj do të duhet të ngrinin ndërkombëtarisht çështjen e tyre, kuptohet me ndihmën e Kosovës dhe të Shqipërisë. Bota ose do ta detyronte Serbinë t´i zbatonte të drejtat për ta ashtu siç i kërkon për serbët e Kosovës, ose do të mbështeste shkëputjen e pavarësimin e tyre. Rrugë tjetër nuk ka, dhe është i papranueshëm apart´heidi apo diskriminimi i shqiptarëve në trojet e veta në shekullin XXI.Premtimet gojore të presidentit të Kosovës për Luginën, nuk u bënë marrëveshje me shkrim e nënshkrim – si bëhet që dy palë merren vesh e nuk bëjnë marrëveshje. Po ashtu, ato premtime e pasivizuan Luginën e cila mund t’i shfrytëzojë aq shumë kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE.Gazeta JnK: Sa është relevante që të qëndroni me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në një linjë duke refuzuar që të jeni pjesë e ekipit negociator, duke qenë se edhe qeveria Mustafa ka nënshkruar marrëveshje në Bruksel të cilat ju me ngulm kërkoni që t’i rishikoni?Albin Kurti: Me z. Mustafa dhe me LDK kemi një komunikim dhe koordinim të përshtatshëm, i cili po luan një rol shumë të mirë sepse po e lë pa legjitimitet Thaçin në përpjekjen e tij për pazar të shpejtë. Qëndrimi ynë i përbashkët ka të bëjë me faktin se këtë dialog nuk mund ta çojë përpara Hashim Thaçi dhe as një grup partish të vogla të bëra bashkë rrotull tij.Neve na bashkon të qenit në opozitë, dhe të qenit dy partitë më të mëdha të Kosovës, që së bashku kanë mbështetjen e shumicës absolute të qytetarëve. Sa i përket së shkuarës, sigurisht që kemi pasur mospajtime dhe përplasje, sepse po të kishim qenë dakord edhe për të shkuarën nuk do të ishim dy parti por një parti.Në politikë ne në Vetëvendosje nuk nisemi nga mllefet e inatet e së shkuarës, por veprojmë të udhëhequr nga pikëpamjet tona programore e parimore, dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me sinqeritet dhe pa hile me subjektet që kanë qëndrime të përafërta me ne, për aq kohë sa na lidhin këto qëndrime. Ne nuk jemi si PDK, dhe kur hyjmë në bashkëpunim me subjekte të tjera i qëndrojmë fjalës dhe zotimeve tona deri në fund, me përgjegjësi. Prandaj edhe marrëveshjet tona përgjithësisht kanë qenë të shkruara e transparente, dhe jo në prapaskena.Gazeta JnK: Kërkesa juaj për rishikim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, a e rrezikon partneritetin tuaj me LDK-në?Albin Kurti: Absolutisht jo, madje kemi edhe mbështetjen e tyre për një shqyrtim e vlerësim të dialogut paraprak gjashtëvjeçar, e për hetim parlamentar të të gjithë procesit të dialogut dhe të marrëveshjeve, sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata e dinë, e gjithë bota e di, se kush ka qenë personi dhe partia që ka shtyrë përpara përtej çdo mandati, një proces jo-transparent që e ka dëmtuar Kosovën.Gazeta JnK: Kohëve të fundit ju kemi parë që keni përdorur një gjuhë më të butë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). A nënkupton kjo që LDK-ja ka mbetur forca e vetme politike me të cilën ju do të mund të krijoni një momentum politik që në të ardhmen të krijoni një koalicion, madje edhe parazgjedhor?A është LDK partia me të cilën Vetëvendosje beson se mund të bëhet ndryshimi në Kosovë?Albin Kurti: Gjuhën e ashpër ia kemi rezervuar pushtetit, e sidomos PDK-së, sepse ata janë në pushtet pa ndërprerje prej 12 vitesh dhe e kanë kapur shtetin në çdo sektor. Partitë e tjera kanë hyrë në koalicione me ta, duke besuar se do të mund t´i ndalin, por kjo ka qenë e pamundur. E vërtetë ka rezultuar thënia e Vetëvendosjes, se e vetmja mënyrë për ta ndalur PDK-në është duke e lënë atë vetëm, pra duke mos shkuar në koalicion me të. Tash të gjitha subjektet politike e kanë kuptuar se kush bëhet me PDK zvogëlohet, e kush i kundërvihet PDK rritet. Edhe votuesit po e braktisin PDK-në e cila ka rënë nën 20%.Sa i përket koalicioneve, për këto nuk mund të shprehem në mënyrë kaq mendjelehtë. Koalicionet për Vetëvendosjen janë një punë serioze, sepse ato do të qeverisin. Prandaj, diskutimi për koalicione fillimisht duhet të jetë programor, e më pas duhet të miratohet edhe në struktura. Ne kemi treguar që kemi gjetur fjalën e përbashkët edhe më përpara me subjekte të tjera e edhe me LDK-në, sa i përket marrëveshjes programore. Megjithatë jam optimist për të ardhmen, pavarësisht se a do të ketë koalicion apo jo. Me ritmin që po punojmë në organizimin tonë, i cili po shtrihet në çdo fshat e lagje të Kosovës, ne shumë shpejt do të jemi jo vetëm partia më e madhe në Kosovë, por ndoshta edhe subjekti më i madh shqiptar në Ballkan. Të dhënat që vijnë nga terreni na i konfirmojnë këtë.Gazeta JnK: Sa besoni që Kosova është e gatshme t’u bëjë ballë presioneve ndërkombëtare dhe sa besoni se kryeministri Haradinaj do t’i bëjë ballë këtij presioni dhe kur do të duhej të hiqej taksa, sipas jush?Kemi raportuar së fundmi edhe për problemin e kontrabandës në veri të Kosovës. Cili është propozimi juaj, si do të duhej të reagonte Qeveria e Kosovës në veri, kur dihet se nuk ka shtrirje të plotë të autoritetit në atë pjesë?Albin Kurti: Në kushtet e ashpërsimit të ndarjes mes SHBA dhe Rusisë, siç u po shihet me krizën në Venezuelë, mendoj se jo vetëm që nuk duhet hequr taksa, por duhet vendosur reciprocitet i plotë mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç e kemi votuar në Kuvendin e Kosovës më 7 dhjetor 2011, me iniciativën e Lëvizjes sonë. Vetëm përmes reciprocitetit ne mund ta detyrojmë Serbinë që ta njohë Kosovën.Sa i përket kontrabandës, kjo ndalet veç me kontroll të kufijve. Kjo është e lehtë, përmes policisë së Kosovës dhe FSK-së. Por kjo nuk është e mundur kur në pozicione të larta drejtuese të shtetit tonë ka njerëz që kanë ortakëri biznesore me kontrabandistët.Gazeta JnK: Në legjislaturën e kaluar në Kuvend kemi parë një opozitë shumë më të unifikuar dhe më të fortë ndonëse jo të madhe në numra aq sa është tani. Kurse në këtë legjislaturë po shohim një opozitë të pafuqishme duke mos arritur të sfidojë Qeverinë e vendit. Pse është duke ndodhur kjo? Çka mund të bëjë më shumë Vetëvendosje e çka LDK në mënyrë që opozita të duket më e unifikuar në qëndrime dhe veprime?Albin Kurti: Edhe tash opozita është e fortë dhe ka bashkim të qëndrimeve. Është presidenti ai i cili ndodhet në pikën më të ultë të mbështetjes qytetare. Ky president dhe qeveria kanë pasur shumë më tepër vetëbesim kur kanë hyrë në dialogun teknik e politik para disa viteve, sesa tani.Ne e bëmë një protestë masive në 29 shtator 2018, dhe në rast se qeveria apo presidenti vazhdojnë të shtyjnë përpara projekte të dëmshme, të jeni të sigurt se mund të dalim në protestë edhe dy herë më shumë. Ky popull i varfër e i papunë nuk mund të durojë budallakitë dhe hajnitë e një grupi burrash të padijshëm e të pandershëm.Ju po thoni çka duhet të bëjë më shumë opozita, por po ju kujtoj se ne gjendemi në një situatë të çuditshme, kur qeveria nuk e ka më shumicën, dhe detyrohet të blejë vota deputetësh për të kaluar çdo ligj. Ende buxhetin nuk e kanë kaluar, dhe për gjithçka janë të varur nga deputetët që blejnë. Kjo është një qeveri e vdekur e pakallur, një qeveri zombie. Nuk mund ta ketë të gjatë kjo qeveri, ku asnjëra nga partitë përbërëse nuk i beson tjetrës, e vazhdimisht shahen e përqafohen publikisht, në një mënyrë të gërditshme.