Komuna e Prizrenit humb gjyqin me çerdhen e ‘gylenistëve’

0

Komuna e drejtuar nga Mytaher Haskuka ka humbur kontestin gjyqësor me çerdhen “Yllka”, që është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut turk Fetullah Gulen.Komuna e Prizrenit ishte palë e paditur në kontestin civil që po zhvillohej sipas padisë së çerdhes “Yllka”.Kopshti i fëmijëve kishte paditur Komunën e Prizrenit për pengim në posedimin e hapësirës ku gjendet çerdhja, raporton KALLXO.com.
Gjykata Themelore e Prizrenit me aktvendim e ka aprovuar padinë dhe është vërtetuar se Komuna e Prizrenit e ka penguar paditësin në posedim faktik të kopshtit, ashtu që më 20 gusht të vitit 2018, me forcë ka tentuar t’i vendosë drynin dhe të mbyllë kopshtin e fëmijëve ”Yllka”.Sipas padisë që e ka paraqitur ”Pedaks” sh.p.k, e njëjta e ka paditur Komunën e Prizrenit sepse më 2 gusht të vitit 2018, nga kryetari i Komunës së Prizrenit, kanë pranuar njoftim për shkëputjen e kontratës dhe kërkesë për lirimin e objektit, e sipas paditësit Komuna e Prizrenit nuk e ka respektuar kontratën e nënshkruar në vitin 2010.Komuna e Prizrenit nëpërmjet përfaqësuesit të saj avokat Blerim Mazreku ka kundërshtuar padinë, duke theksuar se me datë 2 gusht të vitit 2018 Komuna i ka dërguar paditëses njoftim për shkëputjen e kontratës. Gjithashtu, Komuna pretendon se kishte kërkuar nga paditësja që ta lirojë objektin e kopshtit brenda 16 ditësh.
Përfaqësuesi i Komunës pretendonte se qëllimi i vetëm i padisë ishte që të diskreditohet kryetari i Komunës.Sipas këtij vendimi të Gjykatës, tashmë kopshti “Yllka” do të vazhdojë posedimin dhe shfrytëzimin e hapësirës pa pengesa nga ana e Komunës së Prizrenit.
Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit ka paralajmëruar që do të paraqes ankesë ndaj këtij vendimi të Gjykatës./Kallxo.com