Kompania në Prizren që premtoi 2000 punësime në Gjermani, nën hetime

0

Pasditen e së martës, mijëra qytetarë ia mësynë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, për të lidhur një kontratë pune në aeroportin e Hamburgut të Gjermanisë. E këtë po pretendon t’ua bëjë të mundur një kompani nga Prizreni, e cila ka hapur konkurs për 2 mijë vende pune në shtetin gjerman. Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se është duke u hetuar kjo kompani.
Krejt kjo ka ardhur pas një lajmërimi të një kompanie gjermane, e cila ditë më parë ka njoftuar për mundësi punësimi në aeroportin e Hamburgut. Ndërsa kompania nga Prizreni ka hapur konkurs për t’ua mundësuar kosovarëve të punësohen në këtë aeroport.

Në një prononcim për media, Haradinaj e ka komentuar këtë ngjarje, duke thënë se kjo kompani po hetohet nga organet kompetente.

Ndërkaq, konkursit të kësaj kompanie i janë përgjigjur mijëra qytetarë, të cilët të pakënaqur nga niveli i lartë i papunësisë në Kosovë, po tentojnë të largohen nga vendi, për të gjetur kështu një vend pune jashtë vendlindjes.