Haradinaj nuk e shkarkon Bujar Nerjovajn

0

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se zëvendësministrin Bujar Nerjovaj nuk do ta shkarkojë menjëherë, pasiqë pret të shoh se si është vepra që ai ka kryer.

Vepra për të cilën akuzohet zëvendësministri Nerjovaj, është ajo e keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Aktakuza kish të bëjë me kohën kur ky ka qenë drejtor atje. Mu më vjen mirë që ligji po e bën punën e vet, për këdoqoftë. Veprim politik si tipin e shkarkimit me zotrinë Cena nuk do të ndërmarr menjëherë për shkak se du me pa si është vepra. Por nëse ni zëvendësministër, a ministër a dikush akuzohet, dikush në Qeveri për punën që ia kam besu unë, atëherë do të veproj unë”, ka thënë Haradinaj.

Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prizren ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit Bujar Nerjovaj, ish-drejtor i Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, aktualisht zëvëndësminisër i Ministrisë së Administratës Publike në qeverinë Haradinaj, për shkak se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bujar Nerjovaj si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të 4 objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.