Gjërat që duhet larguar nga rutina e grimit tuaj

0

Përvetësimi i një rutine të mirë të grimit është mjaft i vështirë, pasi që të gjitha këto produkte që janë në treg e rrisin mundësinë që ju t’i përdorni ato në mënyrë të gabuar. Fatmirësisht, ju mund të eksperimentoni me grimin derisa të gjeni atë që ju përshtatet. Më poshtë kemi rekomanduar disa gjëra që duhet shmangur nga rutina e grimit tuaj.

Heqja e gabuar e vetullave

Nëse keni dëshirë që vetë t’i hiqni vetullat tuaja, atëherë bëjeni këtë gjë me shumë kujdes. Hiqni qimet e vetullave një nga një dhe pasi ti keni hequr 3-4 qime të vetullës, ndaloni për të shikuar nëse keni nevojë për të vazhduar apo jo. Gjithsesi, pasi që vetullat janë një gjë shumë delikate dhe tërheqin vëmendjen, ne rekomandojmë që të paktën një herë në dy muaj të vizitoni ndonjë sallon bukurie për të krijuar formën e dëshiruar të vetullave tuaja.

Mbushja e vetullave

Mbushja e vetullave është një proces mjaft i vështirë, të cilin shumë pak femra arrijnë ta bëjnë në mënyrë të përkryer dhe në të shumtën e rasteve fajtori kryesor për një gjë të tillë është përdorimi i produkteve të gabuara. Mos përdorni ‘eyeliner’ për të mbushur vetullat tuaja, pasi që ai bën që vetullat tuaja të mos duken natyrale. Përdorni laps për mbushjen e vetullave, nëse vetullat tuaja janë të rralla ose pudër të vetullave nëse nuk keni nevojë për shumë mbushje.

Qerpikët

Përdorimi i saktë i maskarës bën që qerpikët tuaj të duken më të gjatë dhe më të plotë, megjithatë, përdorimi i gabuar i saj mund të bëjë që qerpikët tuaj të duken të çrregulluar dhe nuk tërheqin vëmendjen tek sytë tuaj. Para vendosjes së maskarës krihni qerpikët tuaj dhe nëse jeni adhurues të qerpikëve artificialë, atëherë përdorni qerpikë që duken pak më natyral.

Hijezimi i syve

Hijezimi i syve është një ndër gjërat me të rëndësishme në rutinën e grimit, megjithatë përdorimi i ngjyrës së gabuar mund të ndikojë që ju të dukeni qesharake. Mos i kombinoni ngjyrat e syve me ngjyrat e veshjeve tuaja, sidomos nëse ngjyra e veshjeve tuaja është shumë e ndezur. Një tjetër gjë shumë e rëndësishme që duhet larguar nga rutina e hijezimit të syve është përdorimi i ngjyrës së njëjtë prej njërit skaj në tjetrin.

Nuancat e gabuara

Shumë femra preferojnë që të përdorin nuanca më të mbyllëta ose me të çelëta, mirëpo një gjë e tillë është një gabim i madh, pasi që përdorimi i nuancave që dallojnë nga natyralja bëjnë që lëkura e fytyrës suaj të duket shumë më ndryshe se qafa apo pjesët e tjera të trupit.

Përdorimi i gabuar i ‘sherk’-ut

Shumë femra përdorin ‘sherk’, që është për disa nuanca më i ndritur se ngjyra e lëkurës së tyre, kjo gjë e bën të qartë se ato kanë shumë shenja në fytyrë të cilat janë munduar t’i mbulojnë me anë të ‘sherk’-ut. ‘Sherk’-u duhet të jetë më së shumti dy nuanca më i çelët se lëkura juaj për të mos u dalluar shumë nga pjesa e qafës.

Skuqja e tepërt e mollëzave

Asgjë nuk duket më bukur sesa mollëzat e skuqura, pasi që ato reflektojnë rini dhe freski, mirëpo kur është puna tek skuqja e mollëzave situata mund të eskalojë shumë shpejt. Femrat që pëlqejnë ‘faqet e kuqe’ duhet ta dinë që nuk duhet tepruar me përdorimin e tepërt të grimit!