Flet zv/ministri i akuzuar i partisë së kryeministrit Haradinaj

0

Zëvendësministri i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj e ka quajtur të pakuptimtë, aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, në kohën sa ishte drejtor i Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren.Zëvendësministri Nerjovaj tha se nuk është i njoftuar për aktakuzën, pasi sipas tij rasti ka qenë nën hetime.“E para është që unë nuk jam i njoftuar për asnjë aktakuzë që është ngritë, kjo çështje është nën hetime. Dhe e dyta në qoftë se konsiderohet keqpërdorim i pozitës zyrtare kur objektet janë me leje atëherë është non sense çdo gjë. Në qoftë se çdo kujt për arsye banale i ngritet një aktakuzë ndoshta është qëllimi që ta dëmtojë palën e një individi apo partie”, tha ai.

Ish-drejtori në Komunën e Prizrenit, thotë se nuk ka qenë i njoftuar nga inspektorati e as nga pala që pretendon se është dëmtuar në rastin e pronës afër sheshit “Shadërvan” në Prizren.“Është shumë interesante sepse zona për të cilën po flitet, hetimet që janë bërë por jo në fazën e aktakuzës, janë dhënë leje nga Drejtoria përgjegjëse e Urbanizimit, kurse ne si drejtori e inspektoratit kemi monitoruar ndërtimet në atë zonë dhe objekti është me leje”, tha ai.

Zëvendësministri i Qeverisë Haradinaj tha se me kënaqësi do të dorëhiqej nga posti i tij, nëse akuzat do të ishin të bazuara.“Në qoftë se kërkohet nga unë dorëheqja me kënaqësinë më të madhe e pranoj sepse nuk është diçka pa të cilën nuk bën vendi im, pa një post të zëvendësministrit. Do ta pranoja dorëheqjen, sikur të ketë bazë në një aktakuzë të tillë”, tha Nerjovaj.

Kallxo.com ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës lidhur me aktakuzën e zëvendësministrit Nerjovaj, por zyrtarët për komunikim nuk kanë qenë të qasshëm, para publikimit të këtij artikulli.Zv/ministri Nerjova në zgjedhjet e kaluara komunale ka qenë kandidat për Asamblenë Komunale të Prizrenit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri B.N. si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e ish – drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të 4 objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren, të ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 Euro.Zëvendësministri Nerjovaj, në raportin e punës 100 ditor dërguar Kryeministrit ka thënë se java e parë e tij e punës në këtë pozitë i ka ‘humbur’ me takime njoftuese me stafin e ministrisë.Qeveria Haradinaj përbëhet nga një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të saj të cilën janë me aktakuza.Më 20 tetor të këtij viti, zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Musa Cena, ishte arrestuar nën dyshimin për ryshfet, ndërsa me vendim të Gjykatës së Apelit, atij i është vazhduar paraburgimi.Ndërkaq, pas aktakuzës kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Cenën nga posti i zëvendësministrit.Probleme me ligjin kanë edhe ministrat e Qeverisë Haradinaj, ku gjashtë nga 22 prej të cilëve kanë aktakuza, nën dyshimet për keqpërdorime të detyrës zyrtare, armëmbajtje pa leje e të tjera.