Edhe 5 vende pritet të tërheqin njohjen ndaj Kosovës

0

Edhe 5 shtete pritet që në një periudhë të shkurtër të tërheqin njohjen ndaj Kosovës, transmeton Gazeta Metro.


Siç raporton mediumi serb B92, i pari ndër këto vende është Palau, presidenti i së cilës po qëndron për vizitë në Serbi. Raportohet se pikërisht me këtë vizitë do të konfirmohet edhe zyrtarisht, se Palau ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës.

Ministri i Jashtëm  i Serbisë, Ivica Dacic, gjatë së premtës ka deklaruar se edhe një vend tjetër ka gjasa ta tërheqë njohjen ndaj Kosovës. Mediat raportuan se ky vend me shumë mundësi është Palau, një republikë e vendosur në Paqësorin perëndimor pranë Guinesë së Re dhe Filipineve, transmeton Gazeta Metro.

Sidoqoftë, Dacic gjatë së dielës nuk e konfirmoi nëse kjo gjë është e vërtetë ose jo.

‘’Presidenti i Palau ka arritur në Beograd dhe do të takohet me presidentin Vucic nesër. Ju bëni përfundimet vet. Pacolli i shkroi letër presidentit të Palau sapo dëgjoi, le ta përfundojmë këtë punë njëherë’’, ka thënë Dacic.

Dacic gjithashtu theksoi se një vend tjetër që mund ta tërheqë njohjen së shpejti është St.Kitts dhe Nevis.

Mirëpo në këtë listë, sipas zyrtarëve serbë, janë edhe Burundi, Liberia, Lesoto, Grenada, Madagaskari, Federata e Dominikës, Papua Guinea e Re, Bashkimi i Komoros, Sao Tome dhe Principe, si dhe dhe Guinea-Bissau./gazetametro.net