Dokumentet bazë për akreditim ndërkombëtarë drejt finalizimit në Spitalin e Prizrenit

0
Në kuadër të Programit Përkrahës për Shëndetësi në Kosovë – KSV/017”,  implementuar nga LuxDev dhe Ministria e Shëndetësisë, të mërkurën, të enjten dhe të Premten, në Prizren janë mbajtur tri punëtori të përbashkëta të grupeve punuese të Spitalit të Prizrenit dhe spitalit të Gjilanit. Punëtoritë janë udhëhequr nga Dr. Afërdita Ademi-Osmani, udhëheqëse e projektit, ekspertët ndërkombëtarë Prim. dr. msc, Dorjan Marushiq, dhe Msc. Jakop Ceglar, ekspertët vendor Dr. Ilir Hoxha dhe Atran Sadiku, dhe asistentët Valid Apuk dhe Admir Mustafa.
Në ditën e parë në spitalin e Prizrenit anëtarët e grupeve punuese të repartit të kirurgjisë në vendet e tyre të punës kanë punuar në implementimin e dokumenteve të hartuara (PSO-ve)  dhe informatorëve të pacientëve, ndërsa grupi i strukturës ka bërë vlerësimin e shpejtë të komponentëve strukturor në procesin e operimit në spital.
Në ditën e dytë është diskutuar  implementimi i dokumenteve të standardizuara për përmirësimin e cilësisë dhe sigurimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, prezantimi i formës digjitale të dokumenteve të hartuara, si dhe përfitimet individuale, institucionale dhe sektoriale nga zbatimi i procedurave të standardizuara të trajtimit të pacientëve.
Në në ditën e tretë është bërë prezantimi i të gjeturave nga grupet punuese dhe planifikimet e mëtutjeshme për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Në hapje të punëtorisë anëtarët e grupeve punuese janë falënderuar nga drejtori i spitalit të Prizrenit, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj, dhe i spitalit të Gjilanit. Dr. Nisret Hajrullahu, kurse prezantimet nga Dr. Besim Guda, Dr. Eqrem Shala, Dr. Shefki Xharra dhe Shemsi Saramati.
Foto 1-  Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj, drejtor i spitalit të Prizrenit.jpg
Në fillim, drejtori i spitalit të Prizrenit, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj, ka prezantuar edhe një raport të vizitës studimore në spitalin e Izolas në Slloveni, si pjesë e aktiviteteve të Planit Strategjik 2017-2021. “Gjatë qëndrimit në spitalin e Izola në Slloveni, unë në cilësinë e kirurgut së bashku me kolegun kirurg, dr. Bajram Duraj, kemi asistuar dhe kemi marrë pjesë aktive në disa nga operacionet që për momentin nuk kryhen në spitalin e Prizrenit. Jam i bindur se në një të ardhme të afërt do të sigurojmë pajisjet e nevojshme dhe do të fillojmë me operacione të tilla. Kemi vullnetin, përkushtimin dhe jemi të vendosur që  përvojat e fituara në Slloveni t’i implementojmë në spitalin tonë dhe t’i mundësojmë qytetarëve shërbime shëndetësorë pa pasur nevojë që ato t’i kërkojnë jashtë Kosovës, – theksoi drejtori Avdaj, duke falënderuar  MSH-në dhe Qeverinë e Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme që kanë ofruar për spiatlin e Prizrenit.
Foto 2. Dr. Besim Guda, spitali i Gjilanit.jpg
Në përmbyllje punëtoritë janë vlerësuar shumë të suksesshme, ndërsa anëtarët e grupeve punuese kanë marrë fjalë miradije nga udhëheqësit e projektit, Dr. Afërdita Ademi-Osmani dhe Prim. dr. msc, Dorjan Marushiq.
Foto 3. Dr.Afërdita Ademi-Osmani, udhëheqëse e projektit.jpg
 “Sot po finalizojmë punën disa mujore të hartimit të disa nga dokumentet më të rëndësishme  dhe që do të jenë bazë për akreditim të spitalit të Gjilanit dhe të Prizrenit. Puna ekipore  dhe e përbashkët është çelës i suksesit. Kjo u vërtetua nga puna, përkushtimi, angazhimi dhe kontributi juaj i jashtëzakonshëm që keni treguar gjatë gjithë kohës në hartimin e këtyre dokumenteve të rëndësishme dhe të munguara deri më tash. Për këtë ju meritoni lëvdatat më të mëdha dhe jeni shembulli më i mirë se gjithçka arrihet kur ka vullnet dhe përkushtim për arritjen e asaj që dëshirojmë të arrijmë’,- theksoi Dr. Afërdita Ademi-Osmani, udhëheqëse e projektit.
Foto.4. Prim. Dr. Dorjan Marushiq, ekspert ndërkombëtar.jpg
Nga ana tjetër, eksperti ndërkombëtar, Dorjan Marushiq, anëtarët e grupeve punuese i ka quajtur  heronj. ‘Më lejoni që në fillim t’ju falënderoj sinqerisht për atë çfarë keni treguar dhe arritur gjatë gjithë kohës gati një vjeçare. Qëllimi kryesor i angazhimit tonë të përbashkët në hartimin e  dokumenteve për ngritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve shëndetësore  po finalizohet me sukses për çka ju meritoni respektin më të madh dhe për mua jeni heronj”, – pohoi  Prim.dr. msc, Dorjan Marushiq, duke shtuar se këto dokumente do të jenë bazë e akreditimit ndërkombëtar të dy spitaleve respektive, atij të Gjilanit dhe të Prizrenit.
Aktivitetet nga Plani Strategjik 2017-2021 do të vazhdojnë sipas dinamikës dhe kohës së paraparë.