Banorët kërkojnë zgjerim të një rruge në Prizren (FOTO)

0

Banorët e rrugës ‘Besim Telaku’ në Prizren po kërkojnë nga Komuna që kjo rrugë të zgjerohet, pasi që, sipas një ankuesi, gjendja e tanishme po u krijon vështirësi.

Qytetari, i cili është ankuar në KALLXO.com për këtë problem, ka thënë se i janë drejtuar Komunës me kërkesë për zgjerimin e rrugës dhe rregullimin e saj.

Komuna kishte intervenuar dy herë në rregullimin por jo në zgjerimin e rrugës.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Komuna e Prizrenit thotë se rruga nuk është rregulluar për shkak se ka hasur në problem me banorët.

“Kjo rrugë ka filluar të punohet edhe dy herë të tjera por vazhdimisht kemi pasur pengesa nga banorët, ku herën e fundit në vitin 2016 janë ndërprerë punimet pas kërkesës së Inspektoratit dhe Policisë, deri sa të zgjidhen problemet me uzurpim të pronave”, thekson Komuna në përgjigje.

Komuna thekson se për rregullimin e gjendjes se rrugës do të intervenojnë nëse banorët heqin dorë nga zgjerimi i saj.

“Ne si Komunë i kemi përfunduar të gjitha procedurat që të fillohet me punimet në atë rrugë, mirëpo ende kanë probleme banorët në mes tyre të asaj lagjeje, ku shpresojmë që t’i zgjidhin çështjet e tyre sa më shpejtë, në mënyrë që ne të vazhdojmë me pjesën tonë”, ka thënë zyra e kryetarit Mytaher Haskuka për KALLXO.com.

Këto janë fotot e rrugës në fjalë.