Banorët e lagjes Rraçi kërkojnë ndërhyrjen e Komunës së Suharekës për të evituar më të keqen

0

Reshjet e shiut në stinën e verës gjatë këtij viti kanë shkaktuar vërshime të mëdha nëpër shumë qytete të Kosovës.

Qyteti i Suharekës së bashku me shumë fshatra të tij e kanë përjetuar tmerrin nga vërshimet, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha. Pa dëme nuk ka kaluar as fshati Vraniq, me ç’rast disa lagje janë vërshuar nga shirat e shumtë e të rrëmbyeshëm. Pjesë e këtyre vërshimeve ishte bërë dhe lagjja Rraçi, në të cilën janë dëmtuar rrugë, oborre e shtëpi. Këtyre vërshimeve nuk ka mundur t’i shpëtojë edhe rruga e lagjes e poashtu edhe pronat e saj. Rruga dhe një mur i shembur është shqetësimi kryesor për banorët e kësaj lagje. Ndonëse janë bërë kërkesa në Komunën e Suharekës për të sanuar dëmet e shkaktuara, ende nuk kanë marrë një përgjigjje pozitive, ndërsa vet nuk janë në gjendje që ta rregullojnë rrugën e prishur dhe murin e shembur.
Përkundrejtë kësaj, kur stina e dimrit po afron, shqetësimi është duke u rritur në këto familje, pasi si rezultat i ngricave, akullit e borës, mund të rrëshqasin automjetet e banorëve të lagjes, të cilët domosdoshmërisht kalojnë në rrugën e prishur dhe ku muri është shembur. Për më shumë ne ju sjellim disa fotografi dhe video të cilat e tregojnë gjendjen reale atje, duke mbetur me shpresën se edhe institucionet lokale do të intervenojnë për ndërtimin e një muri të ri, me qëllim që të parandalojnë më të keqen e mundshme në ditët dhe javët në vijim./04online.info