Prizren: La veturën të pa frenuar që mbyti një fëmijë, dënohet me 18 muaj burgim

0

Një burrë është dënuar sot me 18 muaj burgim pasi më 2017 nuk e kishte frenuar veturën e tij, e cila kishte lëvizur dhe kishte lënduar një fëmijë për vdekje, e një person tjetër e kishte bërë për spital, bën të ditur Gjykata Themelore e Prizrenit përmes një komunikate për media.

“Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit me iniciale I.B. nga Prizreni, për shkak se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik nga neni 378 para.9 lidhur me par.6. të KPRK-së. Të akuzuarin me iniciale I.B. , gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 18 (tetëmbëdhjetë) muaj”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje bëhet e ditur se i dënuari me datën 02.03.2017, rreth orës 16:30 minuta në Prizren duke shkelur ligjin mbi trafikun publik, vepron në kundërshtim me nenin 92.5 e lidhur me nenin 150 të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin rrugor dhe nga pakujdesia rrezikon trafikun publik, aq sa vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë, në atë mënyrë që me automjetin e tij të markës “Mercedes 124” ,në momentin e ndalimit të automjetit nuk i ndërmerr të gjitha masat e duhura që automjeti të mos lëviz dhe t’i shmanget ndonjë aksidenti, momentin kur del nga automjeti , ai fillon të lëviz mbrapa ku edhe e godet viktimën – fëmijën me iniciale H.Xh. , ku si pasojë pëson lëndime të rënda trupore, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin Regjional në Prizren – Qendra Emergjente ku edhe ndërron jetë në ora 18:30 minuta.

Ndërsa të dëmtuarit me iniciale M.Xh. i shkakton lëndime të rënda trupore të konstatuara nga eksperti mjeko ligjor.