Sot në 18:30 Arsenal-Liverpool, kush fiton mes Xhakës dhe Shaqirit? Spektakli!

0

Futbolli spektakolar i Premier League kulmon këtë të shtunë me Arsenal-Liverpool. Në Emirates Stadium do të zbresin në fushë dy prej skuadrave që luajnë futbollin më të bukur në ishull. Spektakli është i garantuar në këtë sfidë që të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi ta ndjekin live vetëm në ekranin e Supersport. Ajo mes topçinjëve të Londrës dhe The Reds do të jetë edhe një sfidë brenda sfidës mes dy futbollistëve me origjinë shqiptare por që përfaqësojnë Zvicrën, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit të cilët pritet të jenë titullarë sot në orën 18:30. 4 pikë është diferenca mes tyre në renditje pas 10 javëve të para, me Arsenalin që pozicionohet në vendin e 4-t ndërsa Liverpooli ndan vendin e parë me City-in në kuotën e 26 pikëve. Arsenali ndali ecurinë perfekte në kampionat me atë barazim ndaj Crystal Palace një javë më parë por sot skuadra e Unai Emery do të kërkojë të tregojë se mund të marrë pikët edhe në sfidat e mëdha, pasi dy disfatat që ka në këtë sezon i ka pikërisht ndaj Manchester City-it dhe Chelsea-it. Liverpooli në krahun tjetër e konsideron këtë sezon si idealin për të rikthyer titullin kampion në Anfield që mungon që nga viti i largët 1990, por të pretenduar deri në fund trofeun skuadra e Klopp duhet të fitojë ndeshje të tilla si kjo ndaj Arsenalit, që vlejnë sa 6 pikë. Se kush do të triumfojë mes Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit kjo mbetet për t’u parë por në Emirates i garantuar është futbolli spektakolar që ofron vetëm Premier League.SS.