Papërgjegjësia dhe padituria e klasës politike e ka lënë shtetin këtu ku është!

0

Realitetin shoqëror në të cilin po jetojmë, tashmë po e shohim të gjithë! Morali shoqëror në përgjithësi, e në veçanti morali politikë, ka arritur në pikën zero!
Qeverisjet e pasluftës janë përshkuar me skandale nga më të ndryshmet. Sigurisht, ato reflektojnë në një mënyrë, ose në një tjetër, gjendjen morale të shoqërisë tonë në përgjithësi.
Mos reagimi shoqëror, lirisht mund të thuhet se është pajtim me gjendjen ekzistuese.
Pa dyshim, mund të numërohen disa faktor që patën impakte në krijimin e kësaj gjendje.
Nuk ka dilema që dikush nuk do të pajtohet me këtë konstatim, por, realiteti në shoqëri nuk është ai që ne kemi pritur të jetë në këto dy dekadat e pasluftës.
Ata që nuk pajtohen, natyrisht, janë ata që këto dy dekada nuk u lodhën fare për shtetin dhe shoqërinë, por, vetëm për rehatinë e tyre, familjeve të tyre dhe grupacioneve të caktuara politike që u përkasin.

Ai që pajtohet me këtë, se realiteti kosovar këto dy dekada ka qenë për keqardhje, pa dyshim, është qytetari i rëndomtë i këtij vendi, i cili vuan për një vend pune, i cili vuan nga mungesa e shërbimeve të mira shëndetësore, nga mungesa e arsimimit cilësor, etj.
Por, si erdhëm në këtë gjendje? Përse për dy dekada ngelëm në status quo? Përgjigjen këtyre pyetjeve u gjen shumë lehtë, kërkohet vetëm një vështrim dhe analizë e shkurtë. Papërgjegjësia dhe padituria e qeveritarëve, është arsya që Kosova e ka këtë gjendje sot. Nëpër partitë politike, nuk janë avansuar dhe nuk avansohen vlerat, por, për dy dekada gjejmë avansimin e familjarëve, miqëve e shokëve. Prandaj, nuk mund të pritet që njerëz të tillë të ndërtojnë një administrat shtetërore normale, si mund të pritet që ata njerëz të krijojnë projekte zhvillimore, si mund të pritet që ata njerëz të dijnë të përfaqësojnë shtetin në diplomaci, etj.

Ata politikanë të cilëve nuk u dhimbëset paraja e shtetit, siç u dhimbëset paraja e xhepit të tyre, ata nuk mund të zhvillojnë shtetin. Një nga kryeministrat e mëhershëm, paguan 20 mijë euro nga buxheti i shtetit për një rrugëtim me aeroplanë nga Stambolli në Prishtinë. Kryeministri i tanishëm, 20 mijë dollarë për një natë në SHBA, për një takim të dështuar. Mos të flasim për mijëra e mijëra euro të shpenzuara në udhëtime zyrtare, dreka e darka, pa asnjë arsye të vetme. Përderisa ekziston kjo papërgjegjësi, nuk mund të ketë zhvillim, nuk mund të zvogëlohet numri prej 25 mijë familjeve nën skemën sociale, nuk mund të ndryshohet gjendja në asnjë sektor shtetëror, sepse askuj nuk po i intereson ky ndryshim.
Për më keq, premisat për të ndryshuar në një periudhë të afërt, fatkeqësisht, nuk ekzistojnë.

 

Shkruan: Fatmir HALILI