Haskuka: Së bashku mund ta parandalojmë trafikimin e qenieve njerëzore

0

Trafikimi i qenieve njerëzore është një dukuri negative i nivelit global, i cili është i përhapur fatkeqësisht edhe në vendin tonë, ka vlerësuar Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në aktivitetin e sotëm në sheshin Shatërvani kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

“Bashkëpunimi i mirë me institucionet dhe me organizatat që merren me këto çështje, është parakusht për luftimin e kësaj dukurie negative dhe pikërisht me anë të aktivitetit të sotëm, u bëmë bashkë me zëvendësministren e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, znj. Rovena Voda, Zëvendësministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Abduselami Shkodra dhe përfaqësuesen e organizatës Terre des hommes, znj. Alketa Lasku, për parandalimin e trafikimit dhe vetëdijësimin e shoqërisë sonë ndaj këtij problemi.

Të gjithë së bashku duhet të punojmë sa më shumë që ta rrisim vetëdijësimin e shoqërisë sa i përket çështjeve të trafikimit dhe të ofrojmë mbështetje institucionale. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme që të bëhet identifikimi i viktimave dhe të raportohen rastet në institucionet përkatëse.

Instalacioni i sotëm në formë pakete i vendosur në mes të Shadërvanit ka edhe një mesazh, që tregon se fatkeqësisht njeriu trajtohet si produkt që mund të shitet, ndërsa synimi ynë si shoqëri duhet të jetë që t’i dalim para kësaj mendësie dhe këtë mund ta arrijmë duke punuar qysh nga gjeneratat e reja, në mënyrë që të kemi një shoqëri të drejtë dhe një shtet të drejtë që funksionon në mënyrë të barabartë për të gjithë”, ka thënë Haskuka./04online.info