Po i mbronin pyjet nga prerjet ilegale, sulmohen keq dy rojet në Suharekë

0

Dy roje të PK “Sharri” në regjionin e Suharekës, Jemin Shala dhe Ali Dakaj, janë sulmuar fizikisht nga grupe të organizuara dhe kanë marrë lëndime trupore.

Lajmin e ka bërë të ditur Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës, me anë të një njoftimi ku ka publikuar fotografi të rojeve.

Gjithashtu, mësohet se në një rast tjetër ka pasur edhe të shtëna.

Lexojeni njoftimin e plotë të AMMK:

Reagim: Sulmet ndaj rojeve të natyrës në PK Sharri janë vepër e shëmtuar dhe qyqare

19.10.2018- Në këto ditë kur është intensifikuar prerja ilegale e pyjeve në Parqe Kombëtare, rojet e natyrës së këtyre zonave të mbrojtura janë angazhuar maksimalisht për kontrollin e gjendjes dhe parandalimin e prerjeve dhe dëmtimit të vlerave natyrore të parqeve.

Mirëpo gjatë punës në terren rojet po përballen me probleme të natyrave të ndryshme përfshirë edhe sulmet fizike dhe gjuatjet me armë zjarri nga grupet e dëmtuesve të pyjeve që prerjen ilegale të pyjeve dhe tregtimin e drurit e kanë shndërruar në biznes.

Rastet e fundit ishin ato të ditës së djeshme, përkatësisht sulmi ndaj rojtarëve të natyrës të PK “Sharri” në regjionin e Suharekës, Jemin Shala dhe Ali Dakaj, të cilët janë sulmuar fizikisht nga këto grupe të organizuara dhe kanë marrë lëndime trupore, dhe e ai i gjuajtjes me armë zjarri në drejtim të rojeve të natyrës në regjionin e Kaçanikut.

Në lidhje me të dy rastet është informuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të cilët janë duke hetuar rastet. Me këtë rast Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, kërkon nga organet kompetente që me prioritet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për sjelljen e këtyre personave para drejtësisë. Gjithashtu kërkohet që të ndërmerren masat e nevojshme për parandalimin e rasteve të tilla dhe ofrimin e sigurisë së nevojshme për rojtarët e natyrës.

Njëkohësisht kërkohet nga institucionet përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës, që me qëllim të ruajtjes së resurseve të Parqeve Kombëtare të cilat janë shpallur me ligj të veçantë për mbrojtjen e këtyre vlerave të rralla të natyrës, të shikojnë mundësinë e rritjes së numrit të rojeve të natyrës, pajisjen e tyre ma armë dhe kompensimin e rrezikshmërisë në punë.