Milionat që u keqpërdorën me barnat e shtrenjta

0

Miliona euro janë keqpërdorur nga buxheti i shëndetësisë për barna të listës esenciale, duke i favorizuar operatorët ekonomikë me çmime astronomike. Një tabletë “Imatinib”, e cila përdoret për mjekimin e leukemisë, para një viti është paguar 32 euro, ndërsa e njëjta para pak ditësh është blerë me vetëm 3.69 euro
Miliona euro vlerësohet se janë keqpërdorur nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë vetëm në tenderët për furnizim me tableta “Imatinib”, i cili bar përpos që përdoret për mjekimin e leukemisë kronike, shfrytëzohet edhe për mjekimin e tumoreve malinje në lukth, pasi që çmimi i furnizimit për këtë institucion shtetëror ishte shumëfish më i lartë se çmimi në tregun me pakicë.

Një tabletë e tillë (Imatinib), e cila para një viti i kishte kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ishte blerë 32 euro, derisa çmimi në tregun me pakicë ishte katërfish më i lirë.

Për çmimet e tilla astronomike të këtij bari kishte raportuar para një viti gazeta “Zëri”, ku kishte faktuar se çmimi në barnatore është dukshëm më i lirë.

Këtë vit, pas raportimeve të vazhdueshme të medieve për këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka blerë të njëjtin bar me 3.69 euro, ose rreth 28 euro më lirë se një vit më parë.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se me tenderin e ri për furnizim me tableta “Imatinib” buxheti i shtetit është kursyer për 414.324 euro, derisa për tenderin tjetër për furnizim me preparate për hemodializë buxheti është kursyer prej 571.369 eurosh.

“Në total nga të gjitha aktivitetet e deritanishme të prokurimit MSH-ja ka arritur të kursejë rreth 6 milionë euro nga ‘Planifikimet sipas kontratave paraprake dhe vlerave të parashikuara’”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Medie të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Uran Ismajli.