Thaçi dekoron Vasfije Krasniqin: Heroinë e gjallë e Kosovës

0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e dekoroi sot Vasfije Krasniqi – Goodman, kosovaren e cila përjetoi përdhunimin nga forcat serbe në prill të vitit 1999 dhe pak ditë më parë doli të flasë publikisht për të.
E ftuar në Zyrën e Presidentit për të marrë Medaljen Presidenciale “Qytetare e Merituar”, në shoqërinë e bashkëshortit dhe familjarëve, Krasniqi – Goodman ishte e shkurtër në deklaratën e saj.

Ajo bëri thirrje për “mbrojtje dhe drejtësi” për viktimat e dhunimit gjatë luftës, ndërsa e falënderoi Presidentin për dekoratën.

Ndërsa, Thaçi e vlerësoi momentin e takimit me viktimën e dhunimit si “një nga momentet më emocionuese” në jetën e tij.

Ai e cilësoi Krasniqin si “heroinë e gjallë” e Kosovës.

“Dëgjojmë rrëfimin e së vërtetës për drejtësi për dhunimin e grave dhe burrave shqiptarë. Unë e falënderoj për guximin e saj për të rrëfyer për atë që ka ndodhur, për gjenocidin e viteve 1998-1999”, tha Thaçi.

“Është një rrëfim që thërret ndërgjegjen në Kosovë, ndërgjegjen e vet popullit serb por edhe të drejtësisë ndërkombëtare se e vërteta po thuhet por nuk po zbatohet”, shtoi ai.

“Ne burrat e Kosovës duhet të ndihemi të turpëruar që nuk kemi bërë më tepër, por do të vazhdojmë të punojmë”, tha Thaçi.

Për veprimtarinë dhe kontributin e dhënë brenda dhe jashtë vendit për promovimin e së vërtetës për mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë saj.