52 policë ruajnë pandërprerë 6 kishat ortodokse të Prizrenit

0

52 policë të Kosovës vazhdojnë të ruajnë, duke mbikëqyrur pandërprerë gjashtë objekte fetare ortodokse në rajonin e Prizrenit, ndonëse sipas zyrtarëve së paku nga viti 2009 nuk ka ndodhur asnjë incident.

Pas trazirave të marsit 2004, në kuadër të masave të sigurisë ndaj kishave ortodokse, në rajonin e Prizrenit është aplikuar kujdestari e pandërprerë 24-orëshe. Fillimisht objektet i kanë ruajtur pjesëtarët e KFOR-it, ndërsa më 2009 sigurimin e tyre e ka marrë Policia e Kosovës.Drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Berisha, ka thënë se për ruajtjen e këtyre objekteve janë angazhuar 52 zyrtarë policorë. “Nuk është regjistruar asnjë incident. Shërbyesit fetarë në këto objekte dalin e lëvizin lirshëm, ndërsa në kishat ortodokse ka vizita të shpeshta, madje edhe nga Serbia”, ka thënë ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji për Policinë, Plani i Martti Ahtisaarit dhe dokumente të tjera ligjore parashohin edhe ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjen për vendet/objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në Republikën e Kosovës.

Si rezultat i këtyre obligimeve, në vitin 2013 është formuar Njësia e veçantë policore për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare (NJSOTKF), që ka selinë në Prizren. Pos policëve me strukturë janë paraparë edhe 4 rreshter dhe 1 toger.

Sipas togerit Shaqir Bytyqi, shef i sektorit në Prizren në sigurim janë 6 (gjashtë) pika statike, por që gjithsej identifikohen si 8 objekte. Pesë nga këto pika statike gjenden në lokacione që i përkasin DRP Prizren dhe njëra nga pikat statike pas riorganizimit të regjioneve gjendet në zonën që i takon Drejtorisë së Policisë në Gjakovë.

Në Prizren masa të sigurie aplikohen për kishën e “Shën Premtës-Levishka”, shkollën e mesme fetare ortodokse “Bogosllavija“, pastaj kompleksin e katedrales “Shën Gjorgji“, kishën e “Runoviçëve“ kishën e “Tutiçit” (të tria në sheshin “Shatërvan”, pastaj kishën e “Shën Kiriakes“ (lagjja “Nënkalaja“ si dhe manastirin “Shën Arhangjeli që gjendet në rrugën për Reqan të Prizrenit. Jashtë Prizrenit ndodhet Manastiri “Shën Vraçe” në fshatin Zaqisht.

“Vlerësimi i rregullt i sigurisë bëhet çdo 6 muaj, ndërsa për ndërprerjen e sigurimit 24/7 për momentin nuk është në diskutim” ka thënë togeri Bytyqi.

Ndërkohë që 52 policë vazhdojnë të kujdestarojnë non-stop te këto objekte, zyrtarët policorë në Prizren, disa herë janë ankuar për numër të pamjaftueshëm të policëve për t’i mbuluar nevojat tjera në fushën e sigurisë, në rajonin e Prizrenit./GazetaePrizrenit.net