Boksieri merr lëndime të shumta për 15 sekonda luftë

0

Boksieri irlandez Jordan Latimer ka thënë se ka tronditje, dëmtim të veshit, lëndime në fytyrë dhe probleme me të parë pas një meçi të boksit që i zgjati vetëm 15 sekonda.

Latimer 20-vjeçar u përball me medalistin e bronztë të Lojërave të Komonuelthit të vitit 2018, John Dochertyn në Newcastle të shtunën. Por Docherty, që debutoi në boksin profesionist, e rrëzoi Latimerin pas vetëm tetë sekondave. Fillimisht Latimeri u ngrit por pas një serie tjetër të grushteve u hodh peshqiri në ring në shenjë dorëzimi.

Latimer, që jeton në Manchester, tha se nuk e dinte se ku është pas meçit dhe se ende po sheh “dyfish”, transmeton Koha Ditore.

“Kam një tronditje mjaft të keqe”, ka thënë Latimer.

“Kam marrë lëndim të daulles së veshit. Kam një frakturë në fytyrë. Kam dëmtuar hundën. Shikimi im është ende i dyfishtë. Dhe balanca ime ende nuk është mirë. E kam bërë CT-në e kokës. Rreziku që mora nuk u shpagua. Unë nuk u dorëzova, por u nokautova në këmbë. Po pyesja se ku jam pasi nuk kisha fare kujtesë se ku isha apo kujtesë për meçin që bëra”.

Nga këndi i Latimerit u hodh peshqiri pas 15 sekondave luftë, derisa ai po mundohej të ngrihej në këmbë pasi mori disa grushte, përfshirë edhe një aperkat të fuqishëm me të majtën.

Në anën tjetër, Docherty 20-vjeçar tha se i është realizuar ëndrra pasi promotori i tij Eddie Hearn i ka thënë boksierit të peshës super të mesme se do t’ia aranzhojë një meç në Amerikë, në nëntor. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).