Hasianët ankohen për gjendjen e rrugës që s’po përfundon tash e 4 vjet

0

Tash e katër vjet, në sirtarin e Ministrisë së Infrastrukturës mbahet projekti për renovimin e rrugës rajonale të Hasit.

Madje, për këtë projekt nuk ka munguar as buxhet, pasi ishin ndarë 200 mijë euro, raporton KTV.

Por, banorët tregojnë se intervenimet kanë qenë të pakta.

E për bizneset që operojnë në fshatrat Romajë, Kushnin e Damijan, rruga thonë se është bërë barrierë shtesë në të bërit biznes.

Në Ministrinë e Infrastrukturës, thonë se me paratë që kanë në dispozicion mund të intervenojnë vetëm në 12 km, nga 34 km sa ka rruga gjithsej.

Për pjesën tjetër të rrugës, Pjetër Ndou, këshilltar politik në MI, ka thënë se pritet të ndahet buxhet gjatë planifikimeve buxhetore të viteve në vazhdim.

Rruga rajonale e Hasit lidh mbi 40 fshatra të Komunës së Prizrenit dhe asaj të Gjakovës.