David Phillips: Amerika nuk e ka aprovuar korrigjimin e kufijve

0

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, në një intervistë për “kallxo” thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pajtuar për idenë e korrigjimit të kufijve të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e disa muaj nëpër Kosovë dhe jashtë saj.

Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Institutin për të Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, tha se nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, atëherë “ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton”.

Deri para pak ditëve, Phillips ka qenë i angazhuar në ekipin e ekspertëve të huaj të Presidentit Thaçi, por ka dhënë dorëheqje duke shprehur hapur mospajtimet me idenë për ndarje të Kosovës.

“Po, jam i sigurt. Kam folur me zyrtarë amerikanë. Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit, ajo përkrah gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të cilën mund ta vlerësojë dhe ajo marrëveshje duhet të gjejë përkrahje nga qeveritë përkatëse dhe nga shoqëria civile”, ka thënë eksperti amerikan i politikës së jashtme.