Haskuka i përkushtuar për përpilimin e strategjisë së turizmit në Prizren

0

Me ndihmën e agjencionit ‘Swiss Contact’, të martën pritet të mbahet punëtoria e udhëhequr nga dy zviceran dhe një vendor me qëllim të përpilimit të strategjisë së turizmit në Prizren sipas metodës të Saint Gallen.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se në bazë të këtij dokumenti komuna do ta ketë të qartë se ku, si dhe sa duhet të investojë në mënyrë që qyteti të futet në hartën ndërkombëtare të turizmit.

“Turizmi është sektor me rritjen më të madhe në botë dhe një sektor nga i cili më së shumti përfitojnë vendorët. Turizmi hap shumë vende të reja të punës dhe ndikon në zhvillimin e industrive të tjera.

Duke marrë parasysh trashëgiminë e pasur kulturore dhe natyrën e përshtatshme për zhvillim të aktiviteteve turistike, zhvillimi i turizmit është mundësi e madhe për komunën tonë. Por për të zhvilluar turizmin fillimisht na nevojitet një plan i mirë, ose ndryshe një strategji e turizmit.

Për këtë arsye të martën do të zhvillohet një punëtori me akterët relevantë të komunës sonë, në mënyrë që të përcaktohet kahja e këtij sektori në të ardhmen. Me ndihmën e agjencionit Swiss Contact, punëtorinë do ta udhëheqin dy ekspertë nga Zvicra dhe një vendor, ndërsa nga të gjeturat do të përpilohet strategjia e turizmit të Prizrenit sipas metodës Saint Gallen.

Në bazë të këtij dokumenti, komuna do të ketë të qartë se ku, si dhe sa duhet të investojë në mënyrë që qyteti ynë të futet në hartën ndërkomtare të turizmit. Prizreni meriton dhe duhet të bëjë shumë më tepër”, ka thënë Haskuka./04online.info