Në Prizren mbahet punëtoria për riaktivizimin e qeverisjes lokale nëpërmjet angazhimit qytetar

0

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, para gjashtë muajve kishte marrë pjesë në punëtorinë për riaktivizimin e qeverisjes lokale nëpërmjet angazhimit qytetar, aktivitet ky i cili ishte mbajtur në Berlin të Gjermanisë.

Haskuka përveç qëndrimeve e ideve rreth kësaj problematike, kishte propozuar njëkohësisht që punëtoria e ardhshme të mbahet në Prizren. Propozimi i Haskukës është aprovuar, pasi dje dhe sot është mbajtur punëtoria pikërisht në Prizren, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë nga Sllovenia, Kroacia, Hungaria e Gjermania.
Në këtë punëtori janë trajtuar tema specifike, veçanërisht janë trajtuar ujërat e zeza, sistemi i kanalizimit publik, furnizimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave të ngurta dhe probleme tjera.
Si rrjedhojë, Kryetari Haskuka e ka vlerësuar lartë mbajtjen e kësaj punëtorie në Prizren.

“Para gjashtë muajsh gjatë vizitës në Berlin si pjesëmarrës i punëtorisë “(Ri)aktivizimi i qeverisjes lokale nëpërmjet angazhimit qytetar”, nikoqirëve u sugjerova që takimi i ardhshëm të mbahet në Prizren.

Dje dhe sot punëtoria po mbahet në Prizren, ndërsa së bashku me kryetarët e komunave nga Sllovenia e Kroacia, mysafirë nga Hungaria e Gjermania, dhe përfaqësues nga institucione dhe organizata të ndryshme të vendit, shkëmbyem përvojat tona, duke treguar se si duhet të angazhohen qytetarët për të qenë pjesë e vendimmarjes.

Trajtimi i ujërave të zeza, sistemi i kanalizimit publik, furnizimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave të ngurta dhe bashkëpunimi ndërkomunal dhe ndërinstitucional për zgjidhjen e këtyre problemeve, ishin disa nga çështjet që i diskutuam.

Kjo punëtori, e cila do të vazhdojë edhe nesër, u mbajt për herë të parë në Kosovë, ndërsa organizatorët i falenderoj edhe njëherë për realizimin e saj në qytetin tonë”, ka thënë Haskuka./04online.info