Anglia për “hakmarrje” në Kroaci, Belgjikë-Zvicër luhet për kreun e grupit

0

Në Kontinentin e Vjetër vazhdojnë ndeshjet eliminatore të Ligës së Kombeve. Këtë të premte do të vijojnë rregullisht, sipas kalendarit, takimet në Divizionet A, B, C dhe D. Dueli që tërheq vëmendjen është pa dyshim Kroaci-Angli, takim që përsërit në njëfarë mënyre pikërisht sfidën e fazës gjysmëfinale të botërorit të fundit, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Zlatko Dalic i eliminoi “Tre Luanët”, duke regjistruar absolutisht rezultatin më të mirë në gjithë historinë e përfaqësueses kroate, për më tepër bëhet fjalë për dy vende që pozicionohen në gjashtë vendet e para në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s.

Për shkak të renditjes në Konfederatën e UEFA-s, dy vendet bëjnë pjesë në Nations League, natyrisht në Divizionin A, ku luan gjithashtu edhe kombëtarja e Spanjës. Dihet, të drejtën për të vazhduar në “final four” e fiton automatikisht vetëm ekipi që mbyll ndeshjet në vendin e parë, prandaj është e kuptueshme që të dy ekipet do të bëjnë çmos për të siguruar 3 pikët nga kjo sfidë, për të shpresuar në një mrekulli të mundshme, pasi “La Furia Roja” kryeson grupin me pikë të plota. Në Wembley, fillimisht ishte skuadra e Gareth Southgate që kaloi në epërsi, megjithatë Spanja e Luis Enrique-s përmbysi gjithçka që në pjesën e parë, ndërsa në takimin tjetër, ndonëse e filloi mirë dhe shpërdoroi disa mundësi të mira shënimi, Kroacia u shpërfytyrua që në pjesën e parë, për të dalë nga Elche me disfatën e turpshme 6-0.

Në Rusi, në përballjen ndërmjet tyre Luka Modric u eklipsua plotësisht dhe ishte një ndër lojtarët më të dobët në fushë, megjithatë pavarësisht se u dominua për afërsisht një orë lojë, Kroacia përmbysi gjithcka falë lojës shumë të mirë të lojtarëve të tillë si Perisic, Mandzukic, Vrsaljko, Brozovic, Rebic apo dhe Vida. Ndeshja do të luhet në Stadiumin “Rujevica” të Rijekës në orën 20:45 dhe do të drejtohet nga arbitri gjerman Felix Brych, gjithsesi për vendësit do të mungojë dyshja Vrsaljko – Brozovic, ndërsa Southgate nuk do të mund të mbështetet te mbrojtësit Luke Shaw, James Tarkowski dhe Danny, Rose që mungojnë për shkak dëmtimi.

Pavarësisht se Anglia ka një bilanc të përgjithshëm më të mire, Kroacia ka fituar 3 nga 5 përballjet e fundit ndërmjet tyre, për më tepër pas këtij dueli vendësit, vetëm tre ditë më pas, do të presin po në Rijeka Jordaninë, në një takim miqësor, ndërsa Anglia, pa u shplodhur mirë nga ndeshja me skuadrën e drejtuar nga Zlatko Dalic, të hënën e ardhshme do të përballet menjëherë me Spanjën, në Sevilje, në stadiumin “Benito Villamarin”.

Ngjall shumë interes edhe takimi tjetër i vlefshëm për Grupin e Dytë të Divizionit A, Belgjikë – Zvicër, grup ku bën pjesë gjithashtu edhe përfaqësuesja e Islandës. “Ishullorët” i kanë humbur që të dyja ndeshjet respektive me këto dy përfaqësuese, kështuqë Grupi i Dytë kryesohet pikërisht dyshja Zvicër – Belgjikë, madje “Djajtë e Kuq” pozicionohen vetëm në vendin e dytë, për hir të golaverazhit, pas fitores mbresëlënëse 6-0 të kombëtares helvete në St. Gallen në ndeshjen hapëse pikërisht ndaj Islandës.

Takimi do të mbahet në Bruksel, në orën 20:45, dhe do të drejtohet nga spanjolli Mateu Lahoz, gjithsesi edhe këtu bëhet fjalë për një duel tepër të fortë, duke patur parasysh që të dy vendet renditen në dhjetëshen e parë të botës, Belgjika në krye, me pikë të barabarta me Francën, ndërsa Zvicra aktualisht pozicionohet në vendin e tetë. Sidoqoftë sikur të mos mjaftonte rëndësia që mbart ky takim për kreun, përfaqësuesja helvete do të bëjë llogaritë edhe me kalendarin, sepse vetëm tre ditë më vonë “bardhekuqtë” do të masin forcat në Reykjavik me Islandën.

Po për Ligën e Kombeve në Divizionin C, në Grupin e Dytë Greqia do të presë në të njëjtën orë në Stadiumin Olimpik të Athinës Hungarinë. Dy përfaqësueset ritakohen pas vetëm një muaji, sepse në shtator, në Budapest, ndonëse luajti në një stadium të zbrazët, kombëtarja maxhare arriti ta fitonte takimin me rezultatin 2-1. Në këtë grup për momentin kryeson Finlanda me pikë të plota pas dy ndeshjeve, ndërsa Hungaria dhe Greqia ndjekin nga prapa, në kuotën e 3 pikëve.

Në Supersport abonentët e shumtë do të kenë gjithashtu mundësinë për të ndjekur edhe takimin miqësor të 5 herë kampionëve të botës, Brazilit, që një muaj pas fitores 5-0 me Salvadorin në Maryland do të zbresë në Riyadh, ku “verdhjeshilët” e Tites do të ndeshen në kryeqytetin saudit me “Fajkonjtë Jeshilë” të Arabisë.