Komisionerja e BE-së këshillon Kosovën të punojë me shtetet për liberalizim të vizave

0

Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, vlerëson se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, megjithatë ajo shprehet se duhet të vazhdohet të punohet edhe më shumë që ky proces të përmbushet.

Gabriel këto komente i ka bërë gjatë ditës së sotme ku ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, ministrin për Inovacion Besim Beqaj dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Gabriel ka potencuar se është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu me shtetet që ato të marrin një vendim sa më të shpejtë rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Kosova ka punuar shumë për të fituar liberalizimin e vizave dhe mund të iu urojmë për të gjitha përpjekjet që i keni ndërmarrë nga ana e Qeverisë. Më pastaj dëshiroj që të jem shumë e saktë Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian flet me të njëjtën zë dhe ne fuqishëm mbështetim. Në anën tjetër, kemi këtë trekëndëshin institucional ku duhet të vazhdojmë që të punojmë me Këshillin, me shtetet e ndryshme anëtarë. Kështu që do të dëshiroja që këtu të dërgoj një porosi pozitive, inkurajuese, shpeshherë ne themi asgjë nuk bëhet para se të bëhet gjithçka. Prandaj është e rëndësishme që të vazhdohet me dialog me të gjitha shtetet anëtare për t’i bindur ato që të marrin vendimin sa më shpejt që është e mundur. Pasi që ju keni argumente të qarta, të gjitha kriteret janë plotësuar. Më besoni nuk është një proces i lehtë”, tha ajo.

Gabriel që po qëndron në Kosovë për agjendën digjitale në Ballkanin Perëndimor dhe mundësitë për ekonominë e Kosovës, ka thënë se Kosova mund të jetë një nga partnerët e tyre kyç për të përdorur digjitalizimin si një promotor i ekonomisë.

Ajo ka thënë se po punojnë që të ketë zvogëlim të tarifave të romingut për vendet e rajonit.

Komisionerja e BE-së ka folur edhe për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ku për këtë projekt Banka Botërore ka deklaruar se nuk do ta përkrahë, ajo tha se ajo tha se institucioni që përfaqëson mbështes këtë projekt. Megjithatë, ajo potencoi se Kosova duhet të jetë e kujdesshme në këtë investim të madh.

“Dëshiroj që t’i përmbahem kompetencave të mija dhe do të thotë funksionit tim si Komision Evropian, çfarë është e rëndësishme është se ne kemi dërguar një mesazh pozitiv për Kosovën sepse ka një vendim për Ballkanin Perëndimor që të investohen 30 milionë euro deri në 2020 për të identifikuar projektet e rëndësishme si për rajonin ashtu edhe për vendin. Kështu që, tani si Komision Evropian kjo është porosia ime, inkurajoj autoritetet që të vazhdojnë të punojnë, jo vetëm për kryeqytetet po për vendet e largëta, për vende rurale. Ne si Komision Evropian mbesim përgjegjës dhe llogaridhënës në vendimet tona dhe në instrumentet tona. Unë kam qenë shumë e qartë, mund të llogarisni në mbështetjen tonë, mirëpo është përgjegjësia juaj për të qenë efektiv dhe efikas dhe për të vazhduar në këtë proces të digjitalizimit i cili po zhvillohet dhe po evoluon me shpejtësi kaq të madhe”, tha ajo.

Kurse, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, është shprehur se komisionerja e BE-së ka qenë gjithmonë përkrahëse për Kosovën. Ai ka thënë se sot ajo po qëndron në Kosovë për të promovuar inovacionin dhe teknologjinë.

Zëvendëskryeministri ka folur edhe për liberalizmin e vizave, ku ka thënë se deri në fund të vitit do të shihet se a është e drejt në raport me Kosovën Bashkimi Evropian. Ndërkohë që ka thënë se nëse nuk do të ketë liberalizim të vizave është ironi që t’i besohet BE-së se do ta bindë Serbinë për ta njohur Kosovën.

“Inovacioni më i madh Evropian në Kosovë mund të jetë liberalizimi i vizave, se ne kemi ardhë në një situatë të tillë ku ta kemi një kërkesë të tillë e cila është urgjente për Kosovën. Por, Komisioni Evropian ka qenë i qartë, Parlamenti Evropian ka qenë i qartë, tash neve na duhet që të punojmë me kryeqytetet tona. Unë ende nuk jam për atë që të ngrisim shumë tensionin në publik, të punojmë më shumë me kryeqytete. Në fund të vitit do të shihet a është Bashkimi Evropian fer në raport me Kosovën apo jo, a është i drejt në raport me Kosovën a jo, shtetet anëtare, institucionet e BE-së. Nëse ka një test që mat kredibilitetin e Evropës në raport me Kosovën është liberalizimi i vizave. Do të ishte ironi mandej në 2019 ne të besojmë që BE do ta bindë Serbinë që ta njoh Kosovën nëse nuk ka kapacitete të merr vendime të brendshme për liberalizimin e vizave dhe të pretendon që mund ta përcaktojë vendimmarrjen brenda Serbisë”, tha ai.

Hoxhaj ka folur edhe për tryezën e mbajtur gjatë ditës së djeshme të thirrur nga kryetari i Kuvendit për harmonizim të qëndrimeve për dialogun Kosovë Serbi.

Ai tha se është një vendosmëri e kryetarit të Kuvendit dhe e koalicionit qeverisës që me çdo kusht të ketë një unitet, një platformë se si do të përfaqësohen në dialog.

“Është pakëz e parakohshme me hy rreth epilogut të dialogut, unë kam qenë në negociata 2006 dhe 2007, kushdo që fol për atë se si do të duket epilogu i dialogut tash në tetor të 2018 e ka goxha gabim. Por, ne e dimë se cilat janë qëllimet tona, njohja e ndërsjellët, asgjë më shumë, asgjë më pak nuk pranojmë. Por, a duhet ta kemi një marrëveshje e cila nënshkruhet edhe prej Kosovës dhe prej Serbisë, natyrisht që duhet ta kemi marrëveshjen që nënshkruhet edhe prej Kosovës dhe Serbisë, a duhet ta kemi një marrëveshje që të votohet në Parlamentin tonë dhe në Parlamentin e Serbisë, natyrisht që duhet ta kemi një marrëveshje të tillë. A duhet ta kemi një marrëveshje e cila duhet të miratohet në Këshill të Sigurimit meqë qëllimi jonë është anëtarësimi në OKB, natyrisht që do të duhej të ndodhë. Procesi do të jetë i vështirë, neve na duhet vullnet politik, na nevojitet kurajë dhe bëtaja për dialogun nuk zhv illohet në Prishtinë por në Bruksel”, tha ai.

Për Mariya Gabriel, komisionere e BE për Ekonomi dhe Shoqëri Digjjitale, kjo është vizita e parë në Kosovë e Komisioneres Gabriel e fokusuar në Agjendën Digjitale në Ballkanin Perëndimor dhe mundësitë për ekonominë e Kosovës.